Ndërlidhjet

Byler: Jeta në veri ka stagnuar


Leposaviq
Leposaviq
Jeta në veriun e Kosovës ka stagnuar dhe qytetarët mbahen nën trysninë e disa individëve dhe grupeve, deklaroi gjeneral-majori Erhard Byler, i cili sot i ka dorëzuar komandën e forcave të KFOR-it gjeneral-majorit Erhard Drevs.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, e cila u zhvillua në Prishtinë, gjenerali Byler theksoi se veriu mbetet sfidë për misionin e forcave të NATO-s në Kosovë.

“Një sfidë tjetër për misionin është fakti se jeta në veriun e Kosovës ka stagnuar. Në këtë pjesë, qytetarët e Kosovës mbahen nën trysninë e disa individëve dhe grupeve, të cilat kanë zhvilluar një interes për ta ndarë këtë rajon nga pjesa tjetër e Kosovës”.

“Jam i bindur se qytetarët atje do të zbulojnë në fund progresin e madh që është arritur në një kohë kaq të shkurtër, në jug të lumit Ibër, si për shembull në Shtërpce, Ranillugë, Kllokot ose Partesh. Në këto vende, një frymë e re ka mbërthyer fshatrat dhe qytetet. Është një frymë e popullatës që ka vetëbesim, e cila vendos se si dëshiron ta çojë përpara jetën e saj”,
tha Byler.

Atifete Jahjaga
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ajo falënderoi gjeneralin Byler dhe forcat e KFOR-it për angazhimin e tyre në Kosovë, duke thënë se KFOR-i është institucioni më i përkrahur, me besueshmërinë më të lartë dhe me respektin e pamohueshëm që gëzon te të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Përkushtimi i KFOR-it për qytetarët e Kosovës dhe sigurinë e tyre është shembull i angazhimit ndërkombëtar të NATO-s si forcë paqeruajtëse - që ndihmon në konsolidimin e demokracive në periudhën e tranzicionit - dhe si forcë parandaluese për të gjithë ata ekstremistë që nëpërmjet dhunës dëshirojnë realizimin e qëllimeve politike, ose që kanë synim destabilizimin, duke vënë në rrezik jetën dhe pasurinë e qytetarëve”, tha Jahjaga.


NATO përkrah dialogun

Admirali Samuel Loklir, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, tha se NATO-ja ka dhënë kontribut për një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë dhe se po shkohet drejt ditës kur forcat e NATO-s më nuk do të jenë të nevojshme.

Ai tha se NATO-ja përkrah dialogun e sponsorizuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Marrëveshjet e fundit që trajtuan çështjet praktike, paraqesin hapa të rëndësishëm, por ende ka punë. Arritja e zgjidhjeve të negociuara rreth doganave, tregtisë, telekomunikacionit, regjistrave civilë dhe sfidave tjera teknike, do të ndihmojë kosovarët dhe të gjitha komunitetet që të jetojnë një jetë normale. Në anën tjetër, kjo do t’i kontribuojë stabilitetit në rajon”, tha admirali Loklir.

Ndërkaq, Tomas Kosendei, sekretar i shtetit në Ministrinë Gjermane të Mbrojtjes, tha se negociatat e drejtpërdrejta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të konsiderohen sukses i madh. Por, siç tha ai, kohët e fundit ka pasur pengesa në këtë proces të vështirë.

“Disa persona, në mënyrë të papërgjegjshme dhe të pamatur, komprometuan besimin dhe rezultatet e arritura me vështirësi. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Dhe, nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Dëshiroj t’iu dërgoj një porosi të qartë të gjithë atyre që dëshirojnë të përfitojnë nga destabilizimi i situatës: nuk do t’ia dilni”, tha Kosendei.

Që sot, forcat e KFOR-it do t’i udhëheqë gjeneral-majori Erhard Drevs, i cili vjen nga forcat gjermane në kuadër të NATO-s.
XS
SM
MD
LG