Ndërlidhjet

Al Kaida, pa mbështetjen e pritur


Pakistan (Pamje ilustruese)
Pakistan (Pamje ilustruese)
Prejse u shkatërruan Kullat Binjake në Nju Jork, një pikëpamje e përhapur e sulmeve të 11 Shtatorit ishte e mbështetur në “Luftën e Civilizimeve” - një shprehje që ishte popullarizuar nga shkencëtari politik në Harvard, Semjuel Hantington.

Në interpretimin e tij, lufta e Al Kaidës kundër Perëndimit ishte thjesht pjesë e një lufte ndërmjet Islamizmit e Krishterizmit dhe fundamentalisht ishte tregim për luftën deri në vdekje të dy pikëpamjeve të papajtueshme botërore.

Por tash, në 10-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, sociologu i njohur nga Universiteti i Karolinës së Veriut, Çarls Kurzman, ka botuar një libër të ri, në të cilin paraqet një pikëpamje krejtësisht tjetër.

Titulli i plotë i librit të tij provokues është “Martirët e zhdukur: Përse janë vetëm pak terroristë myslimanë?”.

Ai thekson se shumë prej sulmeve terroriste, të kryera në emër të myslimanëve, gjatë 10 vjetëve të kaluar, ishin të tmerrshme. Por, duke pasur parasysh se në botë janë më se një miliard myslimanë, numri i atyre që u ishin përgjigjur thirrjeve për të bërë sulme, gjatë 25 vjetëve të kaluar, ishte i vogël – vetëm 0,0001% e popullatës së përgjithshme myslimane, bile edhe nëse vlerësohet se më se 100 mijë prej tyre kishin bërë akte të tilla.

Në Perëndim, ne jemi përpjekur t’iu kushtojmë kujdes hulumtimeve të opinionit, që sugjeronin mbështetje të gjerë myslimane për qëllimet terroriste. Në këtë kuadër, paraqiten fotografi dhe pamje televizive të demonstruesve fanatikë që falen për urrejtje ndaj Perëndimit.

Pakistan
Por, autori Çarls Kurzman thotë se vetë terroristët e pyesin veten përse janë vetëm pak.

“Normalisht ne pyesim: përse ka aq shumë terroristë? Dhe, kjo është pyetje e arsyeshme. Por, terroristët pyesin veten: përse janë vetëm disa? Ata habiten përse myslimanët nuk po u bashkohen atyre në numër më të madh”, thotë Kurzman.

Konkluzionet e tij janë të bazuara në studimin e gjerë lidhur me përmbajtjen e faqeve të xhihadistëve në Internet, ku ekstremistët ankohen për mbështetjen e vogël nga myslimanët.

“Niveli i rekrutimeve nuk është as afër atij niveli që terroristët do të dëshironin ta shihnin dhe ata ankohen për këtë mungesë të rekrutimit në revistat e tyre në Internet dhe në bisedat që i zhvillojnë atje”, thotë Kurzman.

Nëse myslimanët do të ishin aq terroristë të egër, thekson ai, do të mund të priteshin më shumë sulme individuale kundër caqeve perëndimore.

Kurzman thotë se deri tash ka pasur pak sulme të këtilla, megjithëqë faqet e xhihadistëve në Internet janë përplot me instruksione se si të ndërmerren sulme që do të shkaktonin viktima maksimale.

“Në këto materiale rekrutuese ‘online’, në mënyrë teorike, mund të kenë qasje miliona njerëz, çdokush që ka lidhje në Internet. Megjithatë, numri i njerëzve që aktualisht janë regjistruar dhe i kanë provuar punët e tilla terroriste, është relativisht i vogël”, thotë Kurzman.

Ai shton se me librin i tij, në asnjë mënyrë, nuk ka përpjekje për ta mbrojtur terrorizmin.

“Secili fatalitet terrorist është i tmerrshëm. Unë nuk po përpiqem ta mbroj ose ta zbardh terrorizmin - në asnjë mënyrë. Unë shpreh ngushëllime për secilin që ka humbur dikë nga terrorizmi. Njëherësh, unë shpresoj se ne mund të jemi falënderues se nuk ka pasur më tepër viktima dhe më tepër humbje. Kjo duhet të kihet parasysh, derisa ne mendojmë për botën, tash dhjet vjet pas 11 Shtatorit, 2001”, thotë Çarls Kurzman. (f.b.)
XS
SM
MD
LG