Ndërlidhjet

logo-print

Fronti i përbashkët kundër terrorizmit


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Shikuar në dimensionin global, sulmet terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndryshuar formën e kërcënimeve dhe rreziqeve, duke bërë që këto të jenë më shumë të karakterit asimetrik, vlerësojnë ekspertët e çështjeve të sigurisë në Kosovë.

Sipas tyre, kjo ka bërë që gatishmëria vepruese e institucioneve ndërkombëtare të sigurisë t’iu përshtatet rrethanave të reja.

Ramadan Qehaja, ekspert i çështjeve të sigurisë, vlerëson se luftimi i terrorizmit, gjatë këtyre 10 vjetëve, ka shfaqur dallime në koncepte ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një pjese të Evropës.

Ramadan Qehaja
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë më pro-aktive dhe do të thosha më parandaluese, duke angazhuar forca dhe mjete të duhura për t’iu kundërvënë kësaj dukurie, jo vetëm brenda, por edhe jashtë shtetit”.

“Në anën tjetër, një pjesë e shteteve evropiane e kanë trajtuar këtë dukuri nga këndveprimi i sigurisë publike, duke u koncentruar në ndërmarrjen e masave përbrenda dhe në luftimin e terrorizmit brenda shteteve të tyre
”, thotë Qehaja.

Naim Maloku, po ashtu ekspert i çështjeve të sigurisë, vlerëson se shumica e njerëzve në botë janë vetëdijesuar se terrorizmi ndërkombëtar është rrezik për të gjithë dhe jo vetëm për një shtet.

“SHBA-të është dashur ta humbin një kohë për t’i bindur posaçërisht demokracitë perëndimore dhe popujt tjerë, se rreziku nga terrorizmi ndërkombëtar mund ta godasë secilin popull dhe secilin shtet. Pra, disa vite është dashur për këtë”.

“Por, mendoj se për këta 10 vjet, praktikisht, ka kaluar ajo faza e bindjes dhe është krijuar një front i përbashkët i shumë shteteve dhe popujve në atë luftë. Kjo është e arritura e botës në këta 10 vjet”,
thekson Maloku.

Sa i përket Kosovës, sipas ekspertëve të sigurisë, terrorizmi ndërkombëtar nuk përbën ndonjë kërcënim të nivelit të lartë.

Sipas Qehajës, Kosova është vend i vogël dhe si i tillë nuk perceptohet si një cak i domosdoshëm i sulmit. Por, ai thotë se territori i Kosovës mund të shfrytëzohet si transit për kryerjen eventuale të sulmeve terroriste.

“Në kohën e fundit janë vërejtur implikime të disa grupacioneve apo organizatave, të cilat do të mund të kishin ndërlidhje të dyshimtë në këtë aspekt. Në aspektin institucional, baza ligjore kryesisht ekziston në vendin tonë dhe veprimet policore te ne janë vlerësuar kryesisht të suksesshme”.

“Mirëpo, mungesa e kapaciteteve të kuadrove dhe teknike të forcave për luftimin e ndonjë niveli më të lartë të terrorizmit, do të mund të privonte policinë në përballimin e sfidave të këtij lloji”,
thotë Qehaja.

Naim Maloku
Sipas Malokut, Kosova dhe populli shqiptar kanë arritur të vetëdijesohen nga rreziku i terrorizmit ndërkombëtar dhe nuk kanë lejuar të jenë pre e përfshirjes eventuale nga ndonjë segment i rrezikshëm.

“Serbia është përpjekur shumë që ta keqpërdorë 11 Shtatorin, për të aluduar se Kosova dhe populli shqiptar - për shkak se shumica janë me përkatësi fetare islame - mund të jenë rrezik për popujt tjerë dhe për demokracitë perëndimore”.

“Mendoj se është arritur një bindje se Kosova është e rreshtuar përkrah fuqive të mëdha, të cilat e kanë barrën kryesore - do të thotë, SHBA-të dhe fuqitë e mëdha perëndimore - në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”,
shprehet Maloku.

Ekspertët e çështjeve të sigurisë në Kosovë vlerësojnë se, përkundër faktit se janë bërë hapa të mëdhenj, sidomos me eliminimin e kokës së Al Kaidës, Osama bin Laden, dhe shumë bashkëpunëtorëve të tij, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar do të vazhdojë.

Në këtë drejtim, sipas tyre, kërkohet bashkëveprim në të njëjtin front i të gjithë popujve dhe shteteve që dëshirojnë qetësi dhe siguri.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG