Ndërlidhjet

Trishtim, fitore dhe luftë pa fund


10 vjet pas...



Forcat amerikane kanë vrarë Osama bin Ladenin. Sadam Huseini dhe regjimi i tij janë histori. Apeli për luftë të shenjtë kundër Perëndimit është venitur.

Ndonëse një dekadë e plotë nga dita fatale e 11 Shtatorit 2001, fitorja në të ashtuquajturën “luftë kundër terrorizmit” mbetet disi e turbullt. Zinxhiri i ngjarjeve që pasuan tragjedinë, është larg fundit të kënaqshëm.

Në nëntor të 2001-shit, Shtetet e Bashkuara, me sulme të furishme, larguan lëvizjen talibane nga pushteti në Afganistan, por ajo duket të jetë rigjallëruar përsëri. Qeveria e presidentit Hamid Karzai – e formuar me ndihmën amerikane në fillim të vitit 2002 – po ndjek bisedimet për ndarjen e pushtetit me guerilët e Mullah Omarit.

Në Irak, ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara rrëzoi Sadam Huseinin më 2003, ndërsa lufta civile që kërcënonte përçarjen e vendit, ka nisur të zbehet. Por, qeveria e qëndrueshme dhe siguria për të gjithë qytetarët e vendit mbeten objektiva të largëta.

Në vetë Shtetet e Bashkuara, ngushëllimi për asnjë sulm masiv të terrorizmit përgjatë 10 vjetëve përzihet me hidhërimin për koston e luftës globale kundër armikut në hije.

Majkëll Mandelbaum, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Xhons Hopkins, thotë se pasojat më serioze të 11 Shtatorit kanë të bëjnë me shpërqendrimin e vëmendjes së liderëve amerikanë nga prioritetet e brendshme urgjente.

Një nga sfidat më të mëdha janë deficitet, me të cilat po përballet qeveria federale. Ato janë përkeqësuar nga luftërat në Afganistan dhe Irak, për të cilat vendi nuk ka paguar. Ne kemi huazuar për t’i financuar këto luftëra. Kjo është vërtet hera e parë në historinë amerikane që vendi nuk i ka rritur taksat për të paguar luftërat. Kjo është shumë keq”, thotë Mandelbaum.


Siguria kombëtare në vend të parë

Disa ekspertë thonë se vitet pas 11 Shtatorit kanë parë rënie të ndikimit global të Shteteve të Bashkuara. Të tjerët vënë në dukje se SHBA-ja vazhdon të mburret si ekonomia më e madhe në botë, edhe pas krizës financiare të 2008-ës. Epërsia e saj ushtarake mbetet e pasfidueshme.

Ushtria amerikane
Kjo e fundit sigurisht nuk është e çuditshme, marrë parasysh zgjerimin masiv të mekanizmit të sigurisë kombëtare që nga viti 2001. Sipas disa të dhënave, vetëm gjatë dekadës së fundit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shpenzuar rreth 7 trilionë dollarë për mbrojtjen kombëtare, sigurinë e vendit dhe shërbimet e inteligjencës.

Krijimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe i Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare pas sulmeve të 11 Shtatorit, dëshmuan për riorganizimin më të madh të burokracisë federale që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sot, Shtetet e Bashkuara përbëjnë rreth 46 për qind të shpenzimeve ushtarake të të gjithë botës. Veç buxheti i inteligjencës është dyfishuar gjatë 10 vjetëve të kaluar.

Obsesioni për të parandaluar sulme të tjera terroriste ka bërë administratën e Xhorxh Bushit të ndërmarrë një sërë masash të rënda, përfshirë “metodën e ashpër të hetimit të të burgosurve” – taktikë që nga disa është përshkruar si torturë – dhe programet për vëzhgimin e brendshëm të qytetarëve amerikanë.

Debati për efikasitetin e këtyre masave vazhdon ende. Mbrojtësit e tyre - si ish-zyrtari i Departamentit të Drejtësisë, Xhon Jo - argumentojnë se ato kanë luajtur një rol vendimtar në shmangien e sulmeve të reja.

Xhorxh Bush dhe Barak Obama
“Liritë civile do të vuanin shumë më keq, po qe se Al Kaida do të kishte sukses në goditjen e dytë. Administrata e Bushit i ka dorëzuar me sukses sigurinë kombëtare pasardhësit të saj”, ka shkruar Jo në një editorial të botuar së fundmi në “Wall Street Journal”.

Profesori i së drejtës në Universitetin Xhorxhtaun, Dejvid Koll, nuk pajtohet.

Mendoj se ajo çfarë kemi mësuar është fakti se ligji ka provuar të jetë më fleksibil sesa ka parashikuar administrata e Bushit. Ata u detyruan të tërhiqen dhe në fakt u tërhoqën nga të gjitha ato nisma”, shprehet Koll.

Ironikisht, ai thotë se fakti që administrata e Bushit ka dhënë dritën e gjelbër për metoda të jashtëligjshme të hetimit, ka bërë që projektuesi i 11 Shtatorit, Khalid Sheik Muhamed, të mos dalë ende para gjyqit.

Sipas raporteve të mediave, hetuesit e CIA-s kanë përdorur “metoda të abuzimit me ujë” për Muhamedin.

“Kur ju përdorni taktikë të dhunshme për të nxjerrë informacionet nga një individ, çdo deklaratë që merret nga ai është e njollosur nga kjo taktikë dhe, në bazë të rregullave amerikane me të cilat qeverisin gjyqet penale, nuk mund të përdoret në asnjë mënyrë nga gjykata kriminale”, thotë Koll.


Akuza Obamës

Presidenti Obama ka dështuar në përpjekjen e tij për të mbyllur burgun famëkeq të Guantanamos, ndonëse ka ndaluar dërgimin e të burgosurve të tjerë atje.

Guantanamo
Demokratët dhe republikanët kanë kundërshtuar bashkërisht propozimin që disa nga të burgosurit – përfshirë Khalid Sheik Muhamedin – të sillen për gjykim në Shtetet e Bashkuara.

Në anën tjetër, Obama ka intensifikuar përdorimin e operacioneve të fshehta anti-terroriste nga ana e CIA-s dhe njësiteve elitë të Pentagonit kundër terrorizmit. Ai ka zgjeruar fushatën e sulmeve me telokomandë të CIA-s, që kanë në shënjestër caqet xhihadiste në zonat fisnore të Pakistanit.

Kritikët thonë se sulmet e tilla kanë vrarë operuesit terroristë, por edhe kanë destabilizuar Pakistanin dhe fuqizuar ekstremistët islamikë. Shifrat e zyrtarëve lokalë flasin për mbi 33 mijë pakistanezë të vrarë në luftën kundër terrorizmit që nga 11 Shtatori, 2001.

Shumë amerikanë, të lodhur nga një dekadë e titujve të zymtë, i kanë ikur mbulimit të ngjarjeve në Afganistan dhe Irak. Por, apatia në rritje nuk ka penguar viktimat. Mbi 6 mijë pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë vdekur në të dyja luftërat.

Askush nuk mund të thotë se kur do të përfundojë lufta. Majkëll Mandelbaum, nga Universiteti Xhons Hopkins, thotë se rritja e Kinës dhe e ekonomive të tjera aziatike gjatë dekadës së fundit, paraqet sfida shumë më të mëdha për vendin e Amerikës në botë, sesa çfarëdo që të ndodhë në Lindjen e Mesme.

“Lindja e Mesme është e rëndësishme për një sërë arsyesh, por jo se është qendër e rritjes ekonomike dhe fuqi e mundshme ushtarake. Sidoqoftë, kjo është e vërteta e Azisë Lindore”, thotë Mandelbaum.

Shumë gjëra kanë ndodhur në dhjetë vjetët e fundit, por historia e epokës së pas 11 Shtatorit thuhet të jetë ende larg fundit. (v.t)
XS
SM
MD
LG