Ndërlidhjet

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë shprehur solidarizimin e vendit me Shtetet e Bashkuara, me popullin amerikan dhe me familjarët e rreth 3,000 viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, të vitit 2001.

Në përvjetorin e dhjetë të këtyre sulmeve, ata përçuan mesazhe mbështetjeje për Uashingtonin zyrtar, ndërsa theksuan përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për luftën kundër terrorizmit.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se terrorizmi vazhdon të jetë rreziku më i madh dhe më serioz për njerëzimin dhe se askush nuk mund të injorojë ose të qëndrojë indiferent ndaj këtij kërcënimi.

Atifete Jahjaga
Përmes një deklarate, Jahjaga theksoi përkushtimin e institucioneve kosovare për krijimin e një shoqërie, në të cilën “nuk do të ketë më asnjëherë vend për terrorizëm”, ndërsa shprehu solidarizimin me Shtetet e Bashkuara dhe familjarët e viktimave të ngjarjeve të vitit 2001.

Në këtë dhjetëvjetor të dhimbshëm për të gjithë qytetarët amerikanë, shprehim solidaritetin më të madh me familjarët e viktimave. Sulmi i shëmtuar i 11 Shtatorit duhet të shërbejë si kujtesë e përhershme për gjithë njerëzimin, se një gjë e tillë nuk duhet lejuar të ndodhë më kurrë”, thuhet, ndër të tjera, në deklaratën e presidentes kosovare.

Hashim Thaçi
Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, adresoi një mesazh me rastin e 10-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sulmet terroriste të 11 Shtatorit ishin ndër ngjarjet më tragjike që goditën popullin amerikan, disa nga institucionet e tij dhe mbarë botën demokratike”, thuhet në këtë mesazh.

Këto sulme terroriste, vijon mesazhi i kryeministrit, u drejtuan ndaj “vendit më të fuqishëm të demokracisë botërore, simbolit të lirisë dhe shtetit kampion në investimet për paqe, siguri dhe stabilitet në përmasa globale”.

Në mesazhin e kreut të ekzekutivit kosovar thuhet se sulmet e 11 Shtatorit e rikonfirmuan “shpirtin e madh të kombit amerikan, që di t’i përballojë tragjeditë, duke krijuar unitetin dhe solidaritetin e paparë për t’i tejkaluar sfidat”.

Kryeministri Thaçi vlerësoi se me këto sulme nuk u godit vetëm SHBA-ja, por edhe tërë bota demokratike.

“Dhjetë vjet më parë, qytetarët dhe institucionet e Kosovës u solidarizuan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përjetuar rëndë sulmet terroriste mbi një vend mik, që kishte dhënë kontribut thelbësor në çlirimin e vendit tonë”, thuhet në mesazhin e Thaçit.


Qytetarët kosovarë solidarizohen me SHBA-në

Luljeta Krasniqi

Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë forcuar vetëdijen se terrorizmi është kërcënimi më serioz ndaj shoqërisë së sotme njerëzore dhe se askush nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj këtij kërcënimi, thonë qytetarët kosovarë.

Pas 10 vjetëve të sulmeve terroriste në SHBA, ata thonë se bota nuk mund të jetë e sigurt nga sulmet terroriste.

Ajshe Berveniku shprehet:

“Nuk mendoj se nuk do të ketë më sulme të tilla. Sulmet terroriste po përsëriten. Një sulm gati i ngjashëm ndodhi në Norvegji - sulm që tronditi botën. Mund të ndodhin prapë, pasi grupet ekstremiste gjithnjë e më shumë janë në rritje”.

Flora Loshi nuk mendon se sulme të tilla mund të ndodhin në Kosovë, porse në shtetet tjera, siç është Amerika, po.

“Vendet tjera, si Amerika, duhet të kenë kujdes pikërisht në këtë datë, pasi është 10-vjetori i sulmeve”, thotë ajo.

Edhe 10 vjet pas sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara, Ejup Bullatovci ndihet i pasigurt.

“Ekstremizmi është në rritje. Nuk ndihem i sigurt. Duhet të bëhet diçka në këtë drejtim”, shprehet ai.

Kosovarët, si popull mik i Amerikës, shprehen të pikëlluar për njerëzit që humbën jetën në atë ditë. Edita Doli thotë:

“Sulmet terroriste të 11 Shtatorit kanë qenë të tmerrshme për Amerikën, por sigurisht edhe për ne si kosovarë, duke ditur që kemi shumë ndjenja të fuqishme për të”.

Muhamet Gashi thotë se sulmet e tilla duhet të parandalohen

“Grupet radikale duhet të zhduken në tërësi dhe bota të jetë më e sigurt në të ardhmen”, thotë ai.

Ngjashëm mendon edhe Lizeta Dervishaj:

“Bota çdo herë do të jetë e rrezikuar nga sulmet e terroriste, edhe pse ato ndodhën 10 vjet përpara. Gjatë këtyre 10 vjetëve kanë ndodhur edhe sulme tjera. Mos t’i harrojmë sulmet me bomba në Egjipt. Çdo herë do të ndodhin”.

Por, ka edhe nga ata që nuk u frikësohen sulmeve të tilla. Ardi Berisha shprehet:

“Jo, nuk frikësohem nga sulmet terroriste. Shpresoj që nuk do të ndodhin më”.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG