Ndërlidhjet

Hoxhaj: Më 11 Shtator nisi etapa e re kundër terrorizmit


Ministri i jashtëm Kosovës, Enver Hoxhaj, në 10 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lëshoi deklaratë për media.

Përmes deklaratës, ministri Hoxhaj shprehu dhimbjen dhe solidaritetin e popullit të Kosovës për viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e të gjithë njerëzve që pësuan në këtë ngjarje tragjike.

“Ngjarjet e 11 shtatorit 2001 përbëjnë aktet më të rënda terroriste kundër shtetit simbol të lirisë dhe demokracisë, kundër vlerave demokratike të botës së civilizuar, të cilat kërcënuan në mënyrën më të ashpër paqen dhe sigurinë botërore”, tha Hoxhaj.

Shefi i diplomacisë kosovare theksoi se këto ngjarje të cilat goditën popullin amerikan dhe mbarë botën demokratike, shënojnë një etapë të re të angazhimit kundër kërcënimit terrorist.

“Dhjetë vjet pas këtyre sulmeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e civilizuar të të gjithë globit, janë më të fuqishme, më të përgatitura dhe më të bashkuara përballë terrorizmit, i cili përbën kërcënimin më të madh ndaj shoqërisë moderne demokratike”, tha ai.
XS
SM
MD
LG