Ndërlidhjet

logo-print

Heshtje dhe kambana për viktimat

  • RFE /RL




Amerika ka shënuar 10-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, 2001, me ceremoni solemne - në kujtim të 3,000 njerëzve që humbën jetën në Nju Jork, Uashington dhe Pensilvani.

Në vendin e sulmeve në Nju Jork, presidenti Barak Obama dhe ish-presidenti Xhorxh Bush ndaluan së bashku, në heshtje dhe me koka ulur... derisa kambanat e kishës kumbuan dy herë në orën e saktë, kur para 10 vjetësh avioni i pasagjerëve goditi kullën e parë të Qendrës Botërore të Tregtisë, duke shënuar sulmin më të rëndë terrorist në tokën amerikane.

Obama lexoi psalmin 46 nga Bibla.

“Zoti është shpëtimi ynë dhe forca jonë. Një ndihmë e pranishme në telashe. Andaj, nuk do të frikësohemi, edhe nëse toka zhduket, edhe nëse malet barten në mes të detit”, lexoi Obama.

Bushi, i cili po shërbente vitin e parë si president në kohën kur ndodhën sulmet, lexoi një pjesë të letrës së presidentit Abraham Linkoln, për nënën që kishte humbur pesë bijtë e saj.

“Lutem që Ati ynë në qiell të zbusë dhimbjen e humbjes suaj dhe t’iu lërë vetëm kujtimet e bukura për të dashurit”, lexoi Bush.

Nju Jork, 11 shtator 2011.
Anëtarët e familjeve të atyre që humbën jetën qëndruan fillimisht në memorialin e sapopërfunduar “Plaza”, i cili përbëhet nga dy pishina të mëdha uji, si “gjurmë” të dy kullave të shembura. Emrat e të vdekurve janë të gdhendur në pllaka bronzi përreth pishinave.

Violonçelisti Jo Jo Ma ka ekzekutuar suitën numër 1 të Bahut, para fillimit të ceremonisë, përkatësisht leximit të emrave të viktimave nga anëtarët e familjes.

Edhe kryetari i Nju Jorkut, Majkëll Bllumberg, foli para turmës:

Kanë kaluar 10 vjet që kur qielli i kaltër i mëngjesit u shndërrua në net të zeza. Që atëherë, kemi jetuar në kohë të mirë dhe në errësirë. Fëmijët që kanë humbur prindërit e tyre janë rritur, nipër dhe mbesa kanë lindur...”, u shpreh Bllumberg.

Në prag të përvjetorit të sotëm, Shtëpia e Bardhë ka publikuar një video-mesazh të Obamës, i cili kujton amerikanët se organizatori i sulmeve të 11 Shtatorit, Osama bin Laden, është vrarë, së bashku me shumë udhëheqës të lartë të Al Kaidës. Ai tha se grupi terrorist “është në rrugë të disfatës”.

Mesazhi i tij erdhi në kohën kur Nju Jorku dhe Uashingtoni kanë shtuar masat e sigurisë, pasi zyrtarët e inteligjencës kanë marrë “kërcënim të besueshëm” për sulme në përvjetorin e dhjetë. Obama tha se kombi do të mbetet vigjilent.

“Ata duan të na terrorizojnë, por ne si amerikanë refuzojmë të jetojmë në frikë. Po, ne ballafaqohemi me një armik të vendosur dhe, nëse nuk gaboj, ata do të përpiqen të na sulmojnë sërish. Por, ashtu siç po dëshmojmë në këtë fundjavë, ne mbetemi vigjilentë. Ne po bëjmë çdo gjë të mundur për të mbrojtur njerëzit tanë dhe, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë – si një shtet që rimëkëmbet shpejt – ne do të vazhdojmë”, tha Obama.

Amerikanët në gjithë vendin kanë mbajtur ceremoni përkujtimore në kisha, xhami apo edhe shtëpi.

Ndërsa, lajmi për 77 ushtarë amerikanë të plagosur dhe dy afganë të vrarë nga një sulm vetëvrasës në lindje të Afganistanit, është një përkujtues i zymtë se lufta e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit vazhdon ende. (v.t.)
XS
SM
MD
LG