Ndërlidhjet

Ndikojnë në zhvillimin ekonomik


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Pakoja e ligjeve për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në fund të muajit të kaluar, i mundëson këtij institucioni përshpejtimin e procesit të privatizimit, likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore si dhe përshpejtimin e shpërndarjes se 20 përqindëshit, thonë zyrtarë të kësaj agjencie.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, thotë se aprovimi i këtyre ligjeve, ndryshon efektin e funksionalizimit të AKP-së.

Përshpejtohet procesi i privatizimit, sepse eliminohen një varg zvarritjesh që kanë qenë procedurale, përshpejtohet në masë të madhe procesi i likuidimit, pasi afatet kohore për shqyrtim të ankesave dhe përfundim të një likuidimi janë shkurtuar dukshëm”.

Përshpejtohet procesi i shpërndarjes se 20 për qindëshit, do të ketë përshpejtim të bartjes se mjeteve në buxhetin e Kosovës, dhe shfrytëzimin e tyre në funksion të ekonomisë se Kosovës” thotë Kaloshi.

Ekspertë për çështje ekonomike thonë se aprovimi i këtyre ligjeve ka ndërruar imazhin e AKP-së, ndërkaq, efektet e kësaj do të ndikojnë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Më në fund Agjencia Kosovare e Privatizimit është kosovarizuar sa i përket aspektit ligjor dhe bazës juridike.
Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës thotë se “më në fund Agjencia Kosovare e Privatizimit është kosovarizuar sa i përket aspektit ligjor dhe bazës juridike”.

Sipas tij, që nga funksionalizimi, kjo agjenci është ballafaquar më vështirësi të ndryshme.

Besoj se tani më nuk është koha, kur duhet të humbet në kërkim të arsyeve për ndryshim, por këto ligje të miratuara tani për AKP-në të fuqizohen, të aktivizojnë edhe më tepër AKP-në. Dhe mbi të gjitha vërehet një dukuri që janë eliminuar disa procedura burokratike dhe ka një transparencë shumë të madhe, që karakterizojnë një dialogim dhe partneritet”, shprehet Gërxhaliu.

Ndryshimi i imazhit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit nga aprovimi i këtyre ligjeve, ndikon drejtpërdrejtë edhe në përmirësimin e imazhit ekonomik të vendit, vlerëson Gërxhaliu.

Ju e dini që nga e kaluara nuk kemi pasur arsye që të jemi të kënaqur më efektin e privatizimit, por duhet të besoj se tani e tutje gjërat të jenë më konkrete, do të ketë një pragmatizëm”.

Të gjithë se bashku, krahas këtyre ndryshimeve, do ta kemi të vetmin qëllim, arritjen e zhvillimit ekonomik, ashtu si e meriton popullata e Kosovës dhe Kosova në përgjithësi, duke kthyer dhe duke provuar në rend të parë vlerat e Kosovës, dhe përmirësuar imazhin e saj”, thekson ai.

Sidoqoftë, procesi i privatizimit në Kosovë, ka filluar në vitin 2003, ndërsa që nga ajo kohë, janë mbajtur 52 valë të privatizimit, ku është arritur të privatizohen mbi 600 ndërmarrje shoqërore.

Ndërkaq, nga shitja dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore janë mbledhur mbi 570 milionë euro, të cilat mbahen të depozituara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG