Ndërlidhjet

(Mos)uniteti për zgjidhjen e emrit


Pamje nga Shkupi...
Pamje nga Shkupi...
Përkundër thirrjeve të kryeministrit Nikolla Gruevski, për unitet rreth vijave të kuqe për çështjen e emrit, analistët nuk presin zhvillime pozitive në drejtim të mbylljes së këtij problemi për shkak të, siç thonë ata, mungesës së gatishmërisë për të “ulur topin” dhe për të biseduar në mënyrë të hapur për këtë çështje të rëndësishme.

Ky është hapi i parë më se i nevojshëm që më pas të kemi edhe zhvillime tjera, pasi viteve të fundit kemi rënie të tmerrshme të komunikimit politik. Në shtetet demokratike është normale që të ketë mospajtime mes partive për çështje të caktuara, por, e gjithë kjo, duhet të jetë në përputhje me normat e lejueshme pasi në të kundërtën do të ketë pasoja, që realisht i kemi”, thotë Zdravko Savevski, njohës i zhvillimeve ndërkombëtare.

Ndërkohë thirrjet për uniteti, analisti politik Xhelal Neziri më tepër i vlerëson si populiste për përdorim të jashtëm dhe për një mobilizim të mëtejmë të maqedonasve, jo për ta ndërruar emrin e shtetit, por ta mbrojtur atë.

Neziri thotë se qeveria nuk ka nevojë të bëjë thirrje të tilla, por duhet të iniciojë zgjidhjen e problemit për të cilin ka edhe mbështetjen e opozitës.

Nuk ka nevojë që të thirret në unitet, pasi qeverinë e ka shumica parlamentare e përbërë nga VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit dhe BDI-ja e Ali Ahmetit. Normalisht se në gjithë këtë proces janë shprehur të gatshme dhe janë të gatshme të kyçen edhe partitë opozitare LSDM dhe PDSH dhe në rast se pranohet një zgjidhje kompromisi, e njëjta normalisht se duhet të kaloj në Parlament edhe me votat e opozitës”, thotë Neziri.

Lidhur me gjasat për afrimin e qëndrimeve mes partive përmes kyçjes së presidentit Gjorge Ivanov, siç përflitet në opinion, Zdravko Savevski thotë se presidenti duhet të jetë personalitet mbi partitë politike që të mund të ketë sukses në një nismë eventuale.

Nëse presidenti ynë i tanishëm vendosë që të vihet mbi interesat partiake, mund të luajë një rol të rëndësishëm në afrimin e qëndrimeve të partive politike për çështjen e emrit, por për momentin presidenti është i pozicionuar përkrah partisë në pushtet andaj edhe nuk ka autoritet të madh si tek partitë opozitare ashtu edhe tek qytetarët që nuk përkrahin qeverinë aktuale”, thotë Savevski

Edhe analisti Neziri nuk beson në autoritetin e presidentit pasi sipas tij, zoti Ivanov është vetëm se një figurë e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Neziri më tepër beson në krijimin e një grupi ndërkombëtar lobues për zgjidhjen e problemit rreth emrit.

Unë mendoj se në Parlamentin Evropian dhe institucionet evropiane do të formohet një grup i miqve të Maqedonisë dhe Greqisë, pra një grup i përbashkët, i cili, do të kyçet më intensivisht në zgjidhjen e këtij problemi. Pra, pikërisht mendoj se faktori ndërkombëtar është ai i cili mund të krijojë një unitet mes partive politike në Maqedoni për të pranuar ndonjë zgjidhje kompromisi ”, shprehet Neziri.

Aktivitete për zgjidhjen e çështjes së emrit u paralajmëruar edhe gjatë vizitës së fundit në Maqedoni të komisionarit për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, por nga zyra e ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic ende nuk janë paralajmëruar takime apo propozime të mundshme.

Së fundi në opinion qarkullojnë dy propozime që mund të shtrohen në tavolinë si zgjidhje kompromisi, “Maqedonia Veriore” apo “Maqedonia e Epërme”
XS
SM
MD
LG