Ndërlidhjet

logo-print

AI akuzon të dyja palët për krime në Libi


Amnesty International ka akuzuar të dyja palët në Libi për krime lufte.

Në raportin e fundit, organizata thotë se shtypja e protestuesve nga ana e Muamer Gadafit ka dëshmuar krim kundër njerëzimit, ndërsa arrestimet arbitrare, tortura e të burgosurve dhe rrëmbimet janë krime lufte.

Raporti thotë se zyrtarë të AI-së kanë parë trupa të vrarë të figurave opozitare, të cilat ishin qëlluar në kokë me duar të lidhura pas shpine.

Organizata thotë se posedon edhe video, që tregojnë të burgosurit teksa qëllohen për vdekje.

Raporti vë në dukje se edhe forcat kundër regjimit janë fajtore për abuzime të të drejtave të njeriut, porse në një shkallë më të vogël.

Ato kanë rrëmbyer, kanë arrestuar në mënyrë arbitrare, kanë torturuar dhe vrarë besnikët e Gadafit dhe shtetasit e huaj, të dyshuar gabimisht për mercenarë, thuhet në raport.

Amnesty International i bën thirrje Këshillit Kombëtar të Tranzicionit të hetojë abuzimet e të dyja palëve dhe t’i vërë të drejtat e njeriut në krye të agjendës së tij.

“Ata që janë autorë të shtypjes së tmerrshme nën regjimin e Gadafit, duhet të mbahen përgjegjës”, tha Klaudio Kordone, zyrtar i lartë në AI.

“Këshilli Kombëtar i Tranzicionit duhet të gjykojë sipas standardeve të njëjtja. Pa këtë, nuk do të arrihet drejtësia, ndërsa rrezikohet përjetësimi i një rrethi vicioz të abuzimeve”, shtoi ai.

Ekipi i Amnesty International ka vizituar Libinë në mes të shkurtit dhe korrikut, për të mbledhur material për raportin 112 faqesh.

Publikimi i raportit vjen pas lideri i Qeverisë së përkohshme të Libisë, Mustafa Abdel Xhalil, u ka bërë thirrje luftëtarëve të lëvizjes së tij të mos kryejnë sulme hakmarrëse kundër mbështetësve të Gadafit.

Ai i ka bërë këto komente në Tripoli, para turmës prej 10,000 njerëzish.

Kryetari i Këshillit Kombëtar pritet po ashtu të përsërisë thirrjet që Ligji Islamik i Sheriatit duhet të jetë burimi kryesor i Libisë së re për legjislacion.
XS
SM
MD
LG