Ndërlidhjet

Refuzuesit e Eurozonës


Forografi ilustruese

Forografi ilustruese

“Wall Street Journal”


I ndjeri Herb Shtajn thoshte se gjërat që nuk mund të zgjasin përgjithmonë, marrin fund. Në rastin e Eurozonës, mbetet të shihet se kush do t’i japë goditjen e fundit monedhës së lëkundshme, e cila sot identifikohet me një fond të përbashkët shpëtimi dhe jo me disiplinë fiskale.

Tani, kur Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka vendosur që paketat e Eurozonës për shpëtim janë të lejueshme, sfida të tjera për ithtarët e integrimit më të thellë fiskal mund të vijnë nga lindja, ku disa politikanë kanë nisur të sfidojnë nocionin se ata duhet të sigurojnë fonde të pakushtëzuara për unionin me borxhe.

Në Finlandë, për shembull, kryeministri Jyrki Katainen ka thënë se Helsinki do të bllokojë valën tjetër të huas për Greqinë, nëse Finlanda nuk merr garanci për kontributet e saj.

Por, ai nuk është i vetmi. Disa liderë evropianë, sidomos ata që kujtojnë dekadat e sundimit komunist, janë të mësuar me padrejtësitë fundamentale të humbjeve të bankave.

Vitin e kaluar, Sllovakia ishte vendi i vetëm në Eurozonë që refuzoi pjesëmarrjen në paketën e parë të ndihmës për Greqinë, në vlerë prej 110 miliardë eurosh.

Kryeministrja e vendit, Iveta Radiçova, kishte thënë se “vendet më të përgjegjshme dhe më të varfra nuk duhet të ngrenë fonde për vendet më pak të përgjegjshme dhe më të pasura”.

Një vit më vonë, ajo ka rënë dakord përkundër dëshirës për krijimin e Mekanizmit Evropian të Stabilizimit, i cili do të zëvendësojë fondin e përkohshëm të shpëtimit.

Paraprakisht, Qeveria e zonjës Radiçova po ashtu ka rënë dakord që të përkrahë fondin e përkohshëm dhe të kontribuojë në paketën e dytë për Greqinë, në vlerë prej 120 miliardë eurosh.

Tani, Radiçova thotë se “do të ishte e papërgjegjshme për Sllovakinë” të jetë i vetmi vend që qëndron në mes të Evropës dhe ndihmës së saj.

Megjithatë, ideja e ndihmës për qeveritë e goditura të Eurozonës, mbetet thellësisht e papëlqyer në Sllovaki dhe me të drejtë.

Marrë parasysh madhësinë e borxheve, nuk është për t’u habitur që kreditë, huat dhe përpjekjet e dobëta të kursimit nuk janë duke funksionuar. Shumica e politikanëve evropianë ose nuk u kushtojnë vëmendje fakteve, ose i mohojnë ato, duke preferuar të imagjinojnë një unitet të plotë politik, ku transferet fiskale do të bëhen një realitet i përditshëm, ose qeveritë evropiane do të humbasin sovranitetin mbi vendimet e tyre buxhetore.

Pavarësisht asaj që mendohet, ideja për unitet të plotë politik është një utopi e paarritshme. Në botën reale, e vetmja zgjidhje efektive për problemin grek përfshin ristrukturimin e borxhit sovran, reforma të thella dhe dalje nga Eurozona – çfarë do t’i lejonte Greqisë të rrisë konkurrencën e saj.

Por, shkuarja në këtë rrugë do t’iu kërkonte udhëheqësve të Eurozonës të pranojnë se ideja për monedhë të përbashkët ka qenë me të meta që në fillim dhe se centralizimi i mëtejshëm fiskal dhe monetar nuk do t’i zgjidhte problemet e Evropës. (v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG