Ndërlidhjet

Zotimet për një pushtet të moderuar islamik


Një kryengritës libian...
Një kryengritës libian...
Mustafa Abdel Xhalil, udhëheqës i Këshillit Tranzitor Kombëtar, në paraqitjen e tij të parë publike në Tripoli, është zotuar se vendi do të udhëhiqet nga një pushtet i “moderuar” islamik.

Duke folur para mijëra mbështetësve në Sheshin e Martirëve, Xhalil ka thënë se qeveria e re libiane nuk do të pranojë asnjë ideologji ekstremiste.

"Ne jemi popull mysliman, me një islamizëm të moderuar, dhe do ta ruajmë këtë virtyt. Ju jeni arma jonë kundër kujtdo që tenton ta rrëmbejë këtë revolucion, nga e djathta në të majtë”, ka thënë Xhalil.

Ai ka thënë gjithashtu se islami i moderuar do të mbetet burim i legjislacionit në Libi, pas rrënimit të pushtetit të Muamer Gadafit.

"Është nder i madh për këdo që qëndron para kësaj turme, në këtë situatë dhe në këtë rast, në kohën kur Libia dhe të gjithë qytetarët e saj, po çlirohen nga tiranët. Nga e gjithë kjo, populli libian po shpërfaqet më dinjitoz dhe më i nderuar, me veprimet dhe trimërinë që ka dëshmuar”, ka thënë Xhalil.

Ndërkohë, Gadafi i mposhtur tashmë është zotuar nga një vend i fshehtë se do të luftojë deri në fitore, ndërkohë që forcat e tij kryen kundërsulme befasuese në tri fronte.

Ndonëse, kundërshtarët e tij tash kontrollojnë pjesën dërmuese të Libisë, forcat mbështetëse të Gadafit janë pozicionuar në Sirte, Bani Valid dhe në Saba.

Qeveria e Nigerit ka konfirmuar se të paktën 32 pjesëtarë të qarkut të brendshëm të Gadafit kanë kërkuar strehim në këtë vend, përfshirë këtu edhe njërin nga djemtë e tij dhe disa gjeneralë të lartë ushtarakë.

Këshilli Kombëtar Tranzitor ka pohuar se një sasi e madhe ari dhe parash është kontrabanduar nga rezervat e Bankës Qendrore të Libisë drejt Nigerit, duke i dhënë kështu mundësinë Gadafit që të vazhdojë të paguajë ata që luftojnë për të.

Xhalil ka ftuar të gjithë ata që luftojnë forcat e Gadafit të mos hakmerren ndaj tyre apo mercenarëve.

Kemi nevojë për unitet, për të kundërshtuar frikën dhe lakminë dhe jo për hakmarrje apo padrejtësi.
"Kemi nevojë për unitet, për të kundërshtuar frikën dhe lakminë dhe jo për hakmarrje apo padrejtësi”, ka thënë lideri i Këshillit Tranzitor në fjalimin e mbajtur në Tripoli.

Në Londër ndërkaq, Amnesty International ka dalë me një raport, duke akuzuar regjimin e Gadafit për krime kundër njerëzimit në përmasa masive.

Por, raporti nuk i kursen as ata që rrokën armët për të luftuar pushtetin e liderit të deridjeshëm libian.

Amnesty International ka tërhequr vërejtjen se edhe forcat anti-Gadafi gjithashtu kanë kryer krime lufte dhe se qeveria e përkohshme libiane nuk ka treguar gatishmëri për t’i emëruar përgjegjësit e këtyre akteve.(v.t.)


Djali i Gadafit në Niger
XS
SM
MD
LG