Ndërlidhjet

Irani do t'i lirojë dy shtetasit amerikanë


Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, tha se dy shtetasit amerikanë, të dënuar muajin e kaluar nga drejtësia iraniane me tetë vjet burg, do të lirohen brenda dy ditësh.

Lajmin e ka konfirmuar rrjeti amerikan NBC, i cili ka intervistuar Ahmadinexhadin dhe më pas ka postuar në Twitter informacionin për lirimin e Shejn Bauerit dhe Xhosh Fatalit.

Avokati i këtyre dy të fundit, Masud Shafier, tha se Irani ka vendosur kushtin prej 500 mijë dollarësh për secilin nga të dënuarit.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se klinetët tij do të lirohen menjëherë pas pagesës së shumës.

“Do të lirohen sapo të paguhet shuma”, tha Shafier.

Bauer, Fatal dhe bashkëqytetarja e tyre, Sarah Shourd, janë ndaluar nga rojet e kufirit iranian në fund të korrikut, 2009. Ata janë akuzuar për spiunim, ndonëse kanë deklaruar se kanë kaluar kufirin pa dashje.

Sarah Shourd është liruar me kusht, pas pagesës prej 500 mijë dollarësh në vitin 2010, dhe tani ndodhet në Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG