Ndërlidhjet

170 milionë euro deficit buxhetor


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Buxheti i Kosovës i cili me vite të tëra ishte në suficit, në këtë vit për herë të parë do të hyjë në deficit.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave, konfirmojnë se buxheti i Kosovës mund të pëson deficit prej 3.7 për qind.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Muharrem Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e natyrshme që çdo buxhet vjetor të projektohet me nivel te caktuar të deficitit buxhetor.

Duke qenë që kërkesat buxhetore i tejkalojnë mundësitë e financimit, në këtë drejtim edhe buxheti për vitin 2011 është projektuar me një nivel të deficitit primar buxhetor prej 170 milion euro, që shprehur si përqindje në GDP është rreth 3.7 e GDP-së për vitin 2011”, thotë Shahini.

Zyrtarët e Ministrisë së Financave thonë se një nivel prej 3.7 për qind i deficitit është projektuar nën supozimin e shpenzimeve në nivel 100 për qind.

Sipas tyre, duke qenë që praktika nga vitet e kaluara dëshmon që buxheti zakonisht shpenzohet në mase prej rreth 93-95 për qind, realisht, ky nivel i projektuar i deficitit primar në fund të vitit mund të rezultojë të jetë edhe më i vogël.

Muharrem Shahini thekson se deficiti buxhetor prej 3.7 për qind nuk e rrezikon stabilitetin financiar të Kosovës dhe sipas tij, buxheti i Kosovës ka mjete për ta mbuluar këtë deficit.

Si burime kryesore të financimit të këtij deficiti do të jetë bilanci i akumuluar bankar i cili aktualisht është rreth 300 milionë euro si dhe të hyrat nga donatoret.
Si burime kryesore të financimit të këtij deficiti do të jetë bilanci i akumuluar bankar i cili aktualisht është rreth 300 milionë euro si dhe të hyrat nga donatoret”, thekson Shahini.

Në anën tjetër, sa i përket rrezikut nga deficiti buxhetor që mund të hyjë vendi në këtë vit, përfaqësues të Fondit Monetar patën tërhequr vërejtjen se Kosova duhet të ketë kujdes që deficiti i saj buxhetor të mos jetë më i lartë se 5 për qind e bruto prodhimit vendor (GDP).

Për të menaxhuar deficitin, ata patën sugjeruar institucionet e Kosovës që të gjejnë fonde apo të hyjnë në borxh.

Megjithatë, ata kanë thënë se nëse Kosova bën një gjë të tillë, do të duhej të krijojë një sektor brenda Ministrisë së Financave, i cili do të merrej me menaxhimin e kësaj çështjeje.

Edhe, ekspertë të çështjeve ekonomike, thonë se Kosova nuk guxon të hyjë në deficit të lartë buxhetor, pasi që mundësitë për të mbuluar një deficit të lartë janë të vogla.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se deficit prej 3.7 për qind nuk rrezikon stabilitetin financiar të Kosovës.

Deficiti buxhetor ende nuk dihet se në çfarë mase mund të jetë, të gjitha vendet kanë deficit, por në korniza të lejueshme, ka informata që edhe ky vit do të jetë stabil”, thotë Rukqi.

Për të mbuluar deficitin që mund të këtë Kosova, Rukqi sugjeron që autoritetet kosovare të bëjnë përpjekje që mjetet që janë jashtë vendit të futen në tregun financiar të Kosovës.

Deficiti duhet të jetë i kontrolluar dhe duhet të parashihet mbulimi i tij dhe Kosova duhet të negociojë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe mekanizmat tjerë, sidomos në mundësinë për t’i futur hua publike dhe të bëjë përpjekje që mjetet që janë jashtë vendit të futen në tregun e Kosovës”, thekson ai.

Ndryshe, shpenzimet e përgjithshme buxhetore të Kosovës për këtë vit janë 1 miliard e 434 milionë euro, apo rreth 19.3 për qind më të larta sesa ato në vitin paraprak.
XS
SM
MD
LG