Ndërlidhjet

Kërcënojnë me bllokim rrugësh


Serbët lokalë në veri të Kosovës do të reagojnë shpejt nëse Prishtina zyrtare do të përpiqet që t’i vë nën kontroll dhe funksionalizojë vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë, paralajmërojnë zyrtarët e Qeverisë serbe dhe liderët politik të serbëve të veriut të Kosovës.

Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i kundërshton paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës, e cila ka thënë se më 16 shtator do të fillojë t’i rifunksionalizojë vendkalimet kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit.

Ai thotë se një veprim i tillë eventual i Qeverisë së Kosovës, do t’i nxisë serbët lokalë dhe kundërshtimet e tyre.

Reagimi i serbëve mund të jetë shumë i shpejtë dhe efikas. Ata mund t’i bllokojnë tërësisht të gjitha rrugët, ato kryesore të trafikut, por edhe ato anësore apo alternative, të cilat eventualisht do të mund t’i shfrytëzonte ndonjë njësit nga Prishtina ose ato të KFOR-it, nëse ai do ta asistonte Prishtinën në veprime të tilla radikale dhe agresive”, thotë Oliver Ivanoviq.

Ngjashëm paralajmëron edhe lideri i serbëve të veriut të Kosovës Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb.

Ai thotë se përmes vënies së kontrollit mbi vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, institucionet e Kosovës po përpiqen t’ua imponojnë serbëve shtetin e Kosovës.

Për serbët në veri të Kosovës, kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo nënkupton se po na rrethojnë tërësisht me tela gjembor dhe të na izolojnë nga shteti i Serbisë gjë që është në kundërshtim me vullnetin tonë. Kështu që, serbët në veri të Kosovës do t’i kundërshtojnë tentimet e tilla me të gjitha metodat legjitime”, shprehet Millan Ivanoviq.

Ai ka kritikuar deklaratat e mëhershme të zyrtarëve të Beogradit, të cilët, sipas tij i kanë ftuar qytetarët serb që të jenë të qetë ndaj provokimeve.

Serbët me siguri që me protesta masovike dhe me të gjitha metodat demokratike të mosdëgjueshmërisë qytetare, do të reagojnë duke bllokuar rrugët.
Rrëfimi që ndaj provokimeve të dhunshme duhet përgjigjur me qetësi, i cili është dërguar nga kreu i shtetit në Beograd, është dritë e gjelbër për këto metoda agresive dhe të dhunshme të shqiptarëve dhe institucioneve të tyre. Serbët me siguri që me protesta masovike dhe me të gjitha metodat demokratike të mosdëgjueshmërisë qytetare, do të reagojnë duke bllokuar rrugët”, thotë Millan Ivanoviq.

Ndryshe, Oliver Ivanoviq, thotë se megjithatë paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës se do t’i rifunksionalizojë vendkalimet kufitare dhe aty do t’i dërgojë doganierët dhe policinë kufitare, më tepër janë, siç thotë ai, në funksion të propagandës për konsum të brendshëm.

Aktivitetet e tilla nga ana e Prishtinës, para së gjithash, janë të destinuara për opinionin e brendshëm apo qetësimin e reagimeve ndaj disa veprimeve të autoriteteve në Prishtinë. Mendoj se porosia nga Brukseli dhe qendrat tjera është mjaft e qartë se veprimet e tilla të Prishtinës mund t’i sjellin vetëm dëme atmosferës së përgjithshme. Është shumë e rëndësishme që në këtë kuptim, Prishtinës i është tërheqë vërejtja”, thotë Oliver Ivanoviq.

Ndryshe, në anën veriore të Mitrovicës kanë vazhduar protestat e siç thuhet punëtorëve profesionistë, të cilëve u janë bashkuar edhe studentët. Gjendja në veri, aktualisht, vlerësohet të jetë e qetë por mjaft e tensionuar.
XS
SM
MD
LG