Ndërlidhjet

Thaçi: Në veri do të jenë doganierët kosovarë


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

"Zbatimin e marrëveshjes do ta bëjmë me autoritetet ndërkombëtare dhe jo me Serbinë", thotë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, është paralajmëruar finalizimi dhe zbatimi i planit për ri-funksionalizimin e doganave në veri të Kosovës. Çka në fakt përmban ky plan?

HASHIM THAÇI
Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitet me shtetin e Serbisë dhe vendimit po ashtu të qeverisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, të datës 25 korrik dhe marrëveshjes së mëtutjeshme me KFOR-in, tani ka ardhur momenti i fillimit të zbatimit të marrëveshjes për vendosjen nën kontroll të pikave 1 dhe 31.

Prandaj, më 16 shtator, të premten do të fillojë edhe operacionalizimi i plotë i planit të Republikës së Kosovës për vënien nën kontroll të këtyre pikave kufitare me rregulla strikte, si edhe në të gjitha pikat kufitare tjera të Republikës së Kosovës.

Të gjitha operacionet do të kryhen nën sovranitetin e Kosovës, pra nën angazhimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës me angazhimin e tyre operacional e teknik të EULEX-it dhe krijimin e ambientit të sigurisë nga NATO.

Gjithashtu, edhe të hyrat që do t'i kemi në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe qarkullimi i mallrave nga Serbia për në Kosovë, do të derdhen drejtpërdrejtë në buxhetin e Kosovës dhe do të shpërndahen si të gjitha mjetet në buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa janë shqetësuese për ju deklarimet e vazhdueshme të Beogradit dhe strukturave paralele në veri se nuk do të lejojnë dhe do të pengojnë zbatimin e këtij plani dhe dërgimin e organeve të Kosovës në atë pjesë?

HASHIM THAÇI
Strukturat ilegale dhe kriminale i kemi në ndjekje e sipër. Ato struktura do të ballafaqohen me drejtësinë kosovare dhe ndërkombëtare për kontrabandë, krim të organizuar, ushtrim të dhunës dhe terrorizëm.

Ndërsa, autoritetet e Beogradit janë plotësisht të pafuqishme për të reflektuar diçka në zbatimin e vendimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Pastaj, edhe marrëveshja për vulat doganore është një marrëveshje ndërkombëtare, e arritur përmes BE-së dhe e mbështetur edhe nga SHBA-të, prandaj implementimi do të fillojë më datën 16 shtator.



RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë koordinimi dhe bashkëpunimi i qeverisë dhe institucioneve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar për zbatimin e kësaj marrëveshje?

HASHIM THAÇI
Plani është që të rihapen pikat doganore 1 dhe 31 me autoritetin suprem të institucioneve të Republikës së Kosovës. Do të punohet maksimalisht ngusht dhe në koordinim, me angazhimin për kryerjen e operacioneve teknike, edhe me EULEX-in.

Plani është që të rihapen pikat doganore 1 dhe 31 me autoritetin suprem të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Do të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me KFOR-in. Do të punohet në mënyrë që te pika 1 sa më shpejt të kryhen të gjitha parakushtet edhe logjistike që të funksionalizohet për punë, ndërsa në pikën 31 do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve por edhe të mallrave komerciale. Për të gjitha mallrat që do të paguhet akcizë do të kalojnë përmes pikës kufitare ne Merdare, pra për derivate të naftës, alkool dhe cigare.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej elementeve që ka ndikuar në ri-hapjen e këtyre pikave ishte edhe marrëveshja në dialogun, Prishtinë Beograd. Mirëpo çka nëse pala serbe nuk do të jetë e gatshme që ta zbatojë këtë marrëveshje?

HASHIM THAÇI
Zbatimin e marrëveshjes do ta bëjmë me autoritetet ndërkombëtare dhe jo me Serbinë. Ndërsa, Beogradi është tërësisht pa ndikim. Në pikat kufitare të Republikës së Kosovës në kufi me Serbinë do të jenë zyrtarët e policisë së Kosovës, doganierët e Kosovës, e theksova edhe EULEX-i dhe KFOR-i, me autoritetin dhe përgjegjësitë e tyre, por autoriteti ekzekutiv dhe komandues në pikat 1 dhe 31 do ta kenë kosovarët.




RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministër, është diskutuar shumë edhe çështja nëse këto zhvillime në terren në veri, do të diktojnë hapjen e bisedimeve që do të ngërthenin në vete çështjen e veriut të Kosovës. Sa në fakt ju si kryeministër i shihni si reale vlerësimet, pritjet e tilla?





HASHIM THAÇI
Kosova është një, është unike, me integritetin territorial të saj të paprekshëm, të njohur e të respektuar ndërkombëtarisht. Ne do ta implementojmë në tërësi dokumentin e Presidentit Ahtisari, pasi që vetëm e kemi implementuar mbi 90 për qind dhe do të vazhdojmë me angazhimin tonë për rend dhe ligj në veri të Mitrovicës, në betejën tonë të pa kompromis ndaj strukturave kriminale në veri.

Po ashtu do të vazhdohet me një proces që është në akordancë me dokumentin e Ahtisarit për zgjedhjet e lira në veri në mënyrë që njerëzit atje të mund të zgjedhin liderët e tyre. Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarin në veri. Qeveria e Kosovës është në betejë me strukturat kriminale që e patën krijuar një rrethanë shumë të dëmshme për Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës është në betejë me strukturat kriminale që e patën krijuar një rrethanë shumë të dëmshme për Republikën e Kosovës.
Veriu tash e 12 vjet ka qenë jo vetëm vrimë e zezë e Kosovës apo e rajonit, por e gjithë Evropës. Është i vetmi vend në Evropë ku nuk janë organizuar zgjedhje të lira tash e 12 vjet. Ka qenë një gjendje e patolerueshme, andaj do të vazhdojnë angazhimet tona edhe në kuptimin e dialogut, por edhe në kuptimin e angazhimeve konkrete në terren.



RADIO EVROPA E LIRË
Që nuk nënkupton një status jashtë planit të Presidentit Ahtisari?


HASHIM THAÇI
Me strukturat ilegale dhe kriminale do të jemi të pakompromis. Ata do të ballafaqohen me drejtësinë.
Në asnjë rrethanë, me asnjë çmim. Dhe, askush as që e ka menduar e as që e ka kërkuar këtë nga institucionet e Republikës së Kosovës. Por, edhe nëse dikush pretendon të kërkojë diçka të tillë, përgjigja është shumë e qartë, shumë e shkurtër, kushtetuese e ligjore...vullneti i popullit të Kosovës është që të ketë vetëm implementim të dokumenteve ndërkombëtare dhe në asnjë rrethanë s’do të ketë as status special, as autonomi, as pretendim për ndryshimin e kufijve.

Me strukturat ilegale dhe kriminale do të jemi të pakompromis. Ata do të ballafaqohen me drejtësinë.


RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, fare në fund kryeministër, sa do të jetë sfiduese gjithë kjo rezistencë që po paralajmërohet për zbatimin e planit tuaj nga 16 shtatori?

HASHIM THAÇI
Unë e kam proklamuar datën 16 shtator, si datë kur do të fillojë implementimi konkret i punës në pikat 1 dhe 31. Mesazhet kërcënuese të strukturave ilegale dhe kriminale janë të pafuqishme, për të ndalë angazhimin dhe vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, për të implementuar këtë proces.

Prandaj, as strukturat ilegale e kriminale në veri e as Beogradi nuk do të mund të kenë as rolin minor për stopimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare për të zbatuar marrëveshjen për vulat doganore në pikat 1 dhe 31. Definitivisht do të ketë rend dhe ligj.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG