Ndërlidhjet

DASH publikon raportin për liritë fetare


Prishtinë
Prishtinë
Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor për liritë fetare. Ai mbulon statusin ligjor të lirisë fetare si dhe qëndrimet shoqërore në këtë drejtim, në pothuajse 200 vende dhe territore të botës, në pjesën e dytë të vitit 2010. Raporti i fundit identifikon Iranin, Uzbekistanin, Kinën dhe Burman në mesin e vendeve me "shqetësime të veçanta", ndërsa thotë se Afganistani, Iraku, Pakistani, Rusia dhe Taxhikistani "përballen me sfida të mëdha në sigurimin e lirisë fetare".


PJESA PËR KOSOVËN

Kushtetuta e Kosovës siguron lirinë e fesë, ndërsa ligjet dhe politikat tjera kanë kontribuar në praktikimin përgjithësisht të lirë të religjionit, thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Liritë Fetare.

Sipas të njëjtit, dhuna shoqërore ka shënuar rënie, ndërsa tensionet ndërmjet bashkësive etnike janë zbutur pas krijimit të komunave me shumicë serbe, nën mandatin e Planit Ahtisari.

Ndonëse diskriminimi shoqëror dhe dhuna duket të jenë kryesisht të nxitura nga motive etnike, lidhja e ngushtë ndërmjet përkatësisë etnike dhe fesë e bën të vështirë të përcaktohet nëse ngjarjet janë motivuar nga armiqësia etnike apo fetare.

Megjithatë, të dhënat flasin për disa sulme të drejtuara kundër komunitetit ortodoks, përfshirë kërcënime, vjedhje dhe vandalizëm. Hetimet e policisë për këto raste kanë vazhduar gjatë periudhës raportuese.

Raporti i Departamentit të Shtetit flet edhe për disa incidente të raportuara të dhunës, që janë drejtuar kundër komunitetit mysliman, e që kryesisht kanë rrjedhur nga konflikti midis grupeve islamike.

Bashkësia Islame e Kosovës ka vazhduar të raportojë shqetësime për grupet radikale islamike, për të cilat thotë se operojnë nga shtëpi private dhe udhëhiqen nga persona jashtë vendit.

Krerët e bashkësive fetare, thuhet në raport, kanë raportuar marrëdhënie kryesisht të mira me udhëheqësit fetarë të besimeve të tjera. Udhëheqësit katolikë kanë raportuar se kanë marrëdhënie të mira me Bashkësinë Islame, por më pak kontakte dypalëshe me udhëheqësit e Kishës Ortodokse Serbe.

Raporti vë në pah se Qeveria e Kosovës, në përgjithësi, i respekton liritë fetare në praktikë dhe nuk ka asnjë ndryshim në këtë drejtim gjatë periudhës raportuese.

Edhe pse Zyra e Avokatit të Popullit ka vlerësuar se nuk ka bazë ligjore për një gjë të tillë, Ministria e Arsimit ka nxjerrë një udhëzim administrativ për shkollat e mesme, në fillim të vitit shkollor 2009-2010, i cili u ndalon nxënëseve dhe mësimdhënëseve mbajtjen e shamisë islamike në shkolla.

Zyra e Ombudspersonit, vijon raporti, ka bërë me dije se sërish do të lëshojë një opinion zyrtar, për të theksuar se ndalimi i shamive të kokës nuk është në përputhje me ligjin.

Edhe Zyra e Ombudspersonit, edhe Bashkësia Islame e Kosovës thuhet se kanë raportuar disa raste, në të cilat nxënësit janë përjashtuar nga shkollat publike, ashtu si edhe mësueset, për shkak të mbajtjes së shamisë.

Organizatat joqeveritare në Prishtinë kanë organizuar disa protesta në mbrojtje të shamisë, përfshirë ato në maj dhe në qershor të 2010-ës.

Një pjesë e raportit u kushtohet edhe protestantëve, të cilët vazhdojnë të pretendojnë se diskriminohen institucionalisht, si nga qeveria qendrore, ashtu dhe nga ato komunale. Ata shfaqin pakënaqësi se nuk janë lejuar të krijojnë varrezat protestante.

Të njëjtit kanë thënë se Komuna e Deçanit, duke cituar reagimet negative të qytetarëve lokalë, vazhdon t’iu mohojë atyre lejen për ndërtimin e një objekti kishtar në tokën që kishin blerë.

Rasti ligjor për lejen e ndërtimit në Deçan ka qenë në Gjykatën Supreme në fund të periudhës raportuese.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit vë në dukje se nuk ka pasur të dhëna për të burgosur fetarë në vend, e as për konvertim të detyruar fetar.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara thuhet se ka diskutuar liritë fetare me përfaqësues të qeverisë dhe të fesë, si pjesë e politikës së saj për promovimin e të drejtave të njeriut. (v.t.)
XS
SM
MD
LG