Ndërlidhjet

Uohlers: “Zgjidhni vetë problemin e emrit”


Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund vetëm të ndihmojnë, por, zgjidhja përfundimtare e problemit rreth emrit i takon Maqedonisë dhe Greqisë.

Ky është pozicioni i SHBA-ve, të cilin, e rikonfirmoi ambasadori i ri amerikan në Maqedoni, Paul Uohlers, pas dorëzimit të letrave kredenciale, presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov.

“Pozicioni jonë për emrin nuk ka ndryshuar. Ne kemi njohur Republikën e Maqedonisë, por e kuptojmë se kjo është një çështje e madhe dhe e mbështesim procesin që po udhëhiqet nga Kombet e Bashkuara. Çdo zgjidhje që do të arrijnë Greqia dhe Maqedonia dhe që do të jetë e pranueshme për të dyja palët, ne do ta mbështesim. Nuk është problem që ne duhet ta zgjidhim, por ju vet ndërsa ne mund t'ju ofrojmë ndihmën tonë”, deklaroi ambasadori amerikan Uohlers.

Ai dha vlerësime edhe për zhvillimet tjera aktuale në vend, posaçërisht për procesin e reformave në sferat më të ndjeshme.

“Sundimi i ligjit, pavarësia e gjykatave, pavarësia e mediumeve që janë faktorë të rëndësishëm në të gjitha demokracitë dhe Maqedonia duhet t’i mbyllë këto çështje sikur të gjitha shtetet tjera. Në rastin tuaj këto me siguri se janë kërkesa edhe për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian”, u shpreh ambasadori Uohlers.

Paul Uohlers në detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni, zëvendëson zotin Filip Riker, që tani ushtron funksionin e zëvendësndihmësit të sekretarit amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi.
XS
SM
MD
LG