Ndërlidhjet

Guardian: Turqia pozicionohet në zemër të Botës Arabe


"Guardian"

Fjalimet e kryeministrit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, në Kajro, ishin platforma të shkëlqyeshme për fushatën e Turqisë për t’u bërë, lojtari më i madh në Lindjen e Mesme – kundër një sfondi të ndryshimeve të rëndësishme në Pranverën Arabe dhe në një ndjenjë të rrallë të lëvizjes në konfliktin ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve.

Brohoritjet entuziaste në Egjipt, reflektojnë qëndrimin e fuqishëm të Turqisë kundër Izraelit, duke i shkatërruar dekadat e aleancës së afërt në favor të një pozite të hapur kritike, prej mospajtimit të ashpër të vitit të kaluar, lidhur me vrasjet në flotën e anijeve me ndihma për në Gaza.

Synimi i Turqisë për një rol më të fuqishëm rajonal është paraqitur në vitet e fundit, së bashku me ndjenjën e zhgënjimit – nëse jo të befasisë – se ambiciet e saj për një kohë të gjatë, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, efektivisht ishin të bllokuara nga Franca dhe Gjermania, megjithëqë formalisht mbetet në tryezë.

Është bërë shumë nën “politikën neo-Otomane”, nën të cilën Turqia moderne synon rifitimin e ndikimit, që e zotëronte në ditët e lavdishme të perandorisë së gjerë por të ndjeshme, që e udhëhoqi për katër shekuj, derisa u shkatërrua pas Luftës së Parë Botërore.

Por, kjo është histori e lashtë. Pak arabë të rinj e mbajnë mend varjen e liderëve nacionalistë në Damask ose luftimin e fiseve të mbështetura nga Britania përgjatë hekurudhës Hejaz.

Për dallim nga Irani, që ishte akuzuar për lojën me letra sektare në aleancat e veta me grupet e armatosura shiite në Irak dhe Liban, Turqia duket sikur forcë myslimane sunite dashamirëse, me një ndjenjë të instinktit për rajonin.

Haptazi, Turqia është e admiruar, në masë të madhe, për shkak se ishte shumë më e patrembur dhe më tepër konfrontuese ndaj Izraelit, se shumica e vendeve arabe, duke filluar me përgjigjen e qartë ndaj ofensivës izraelite kundër Hamasit në Rripin e Gazës, në vitin 2008.

Përtej kësaj, sistemi i saj politik duket sikur një model i përdorshëm për vendet arabe, që po dalin nga dekadat e pushtetit autoritar. Thirrja e Erdoganit për ta tejkaluar Kushtetutën sekulare të Turqisë, ishte ndjeshëm e shoqëruar me përkujtimin se sekularizmi nuk është automatikisht kundër Islamit.

Por, pavarësisht nga e gjithë kjo, mund të ekzistojnë kufizimet se sa larg do të shkojë Turqia. Ajo ishte shumë aktive lidhur me krizën në Siri, por në mënyrë të dukshme nuk u është bashkuar thirrje të vendeve perëndimore, që Bashar al-Asadi të largohet.

Vendimi i kryeministrit Erdogan, që të mos e vizitojë Rripin e Gazës, megjithëqë më herët thoshte se do ta bëjë këtë, sugjeron përmbajtje në përballje me mundësinë e zemërimit të Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, marrëdhëniet e të cilit me islamistët e Hamasit mbeten të tensionuara.

Zyrtarët në Ankara, po ashtu, e kanë hedhur poshtë paralajmërimin se luftanijet turke do të ishin të gatshme për përcjelljen e flotës humanitare të ardhshme për në Gaza, duke e shtuar perspektivën alarmuese të një përleshjeje me Izraelin, në detin e hapur.

Për disa analistë rreziku për Erdoganin është se e tërë kjo do të vërtetohet se është tepër për Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë të Turqisë në NATO.

"Ai po luan një lojë të aksioneve të mëdha në kohën kur ato nuk mund të jenë më të mëdha” ka shkruar Daniel Vagner në Foreign Policy Journal, dhe ka shtuar se “nëse Shtetet e Bashkuara duhet të zgjedhin ndërmjet Turqisë dhe Izraelit, natyrisht se do ta zgjedhin Izraelin”. (f. b.)
XS
SM
MD
LG