Ndërlidhjet

Përdorimi i retorikës së ashpër nga ana e Beogradit por edhe e Prishtinës, po i ngritin tensionet, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në vend.

Ashpërsimi i retorikës, së fundmi, ka të bëjë kryesisht me paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës se do t’i rifunksionalizojë vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë, të cilat gjenden në veri të vendit dhe aty do t’i dërgojë doganierët dhe policinë kufitare.

Analisti Ismajl Hasani, vlerëson se, përgjithësisht, tensionet janë duke u nxitur nga zyrtarët e lartë të Beogradit, ndërkohë që Prishtina zyrtare, sipas tij nuk ka paralajmëruar asgjë spektakulare, përveç se zbatimin e marrëveshjeve të fundit që janë arritur në Bruksel, ndërmjet ekipeve dialoguese të Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës nuk po bën veprim spektakular. Në rastin konkret, tensionimet vijnë nga Beogradi.
Qeveria e Kosovës nuk po bën veprim spektakular. Në rastin konkret, tensionimet vijnë nga Beogradi. Sidomos, paraqitja shumë agresive dhe nervoze e presidentit serb Tadiq, të cilit, mbase Bashkimi Evropian po i kërkon llogari tjera, të cilat janë të lidhura me vonesën për ekstradimin e Ratko Mlladiqit dhe kriminelëve tjerë të luftës. Në instancën e fundit, kjo konsideroj se është një pazar politik për nevojat e brendshme të Serbisë”, shprehet Hasani.

Analisti Ardian Arifaj, vlerëson se nuk kanë qenë të papritura reagimet që vijnë nga Serbia ndaj paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës, qofshin ato kërcënime diplomatike, qofshin ato edhe në formë të përkrahjes të strukturave kriminale, të cilat veprojnë në veri të Kosovës.

Por, sipas tij, retorika e ashpër e të dyja palëve, më tepër është lojë politike.

Është e vërtetë që të dyja palët po e shfrytëzojnë një retorikë pak më të ashpër.
Është e vërtetë që të dyja palët po e shfrytëzojnë një retorikë pak më të ashpër. Kjo bëhet, jo për shkak të palës kundërshtare, por për shkak të votuesve, politikës së brendshme. Secili është duke i folur votuesit të vet e jo palës tjetër. Secila palë mundohet që të prezantohet sa më e fortë para votuesit të vet, që pastaj të shfrytëzojë çfarëdo që bëhet në veri, si një letër të fortë para votuesit në zgjedhjet që do të vijnë edhe në Kosovë e edhe në Serbi. Të dyja palët e dinë që në veri të Kosovës, por edhe në Ballkan, në përgjithësi, në Kosovë, në Serbi dhe në vendet tjera, fjalën kryesore e ka bashkësia ndërkombëtare”, thotë Arifaj.

Ndryshe, analistët vlerësojnë se tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të rezultojnë negativisht në situatën në veri të Kosovës.

Analisti Hasani, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme, por edhe të mos lëshojë pe në zbatimin e vendimeve të saja.

Rreziku për tensionim të situatës është potencial. Beogradi nuk flet për interesat e serbëve që janë banorë të Kosovës.
Rreziku për tensionim të situatës është potencial. Beogradi nuk flet për interesat e serbëve që janë banorë të Kosovës. Beogradi e sforcon këtë retorikë për nevojat e veta të brendshme. Në këtë kontekst, unë mendoj se Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të mendoj aspak për mbrapsjen. Ndryshe, do të humbte kuptimi fare i asaj që quhet negocim. Shtrohet pyetja: për çfarë shkojnë të shkojnë ekipet negociatore në Bruksel, nëse nuk është e mundur që të zbatohet një dakordim, i cili e ka marrë miratimin në zyrën e Brukselit?”, thotë Hasani.

Ndërkaq, analisti Arifaj vlerëson se ajo çfarë mund të ndodhë ne veri të vendit, kryesisht do të varet nga bashkësia ndërkombëtare.

Për shembull, fjalori me të cilin kancelaria e Gjermanisë, zonja Merkel, ka folur në Beograd është krejtësisht tjetër, prej atij çfarë e kanë përdorur diplomatët e BE-së në komunikimet e tyre me Beogradin. Kjo mundet me qenë një sinjal se ka një ndryshim në qëndrimin e shteteve të BE-së ndaj veriut të Kosovës dhe kjo mund të jetë determinuesja kryesore për atë se çka do të ndodhë në veri. Mesazhi i kancelares Merkel ka qenë shumë i qartë. Serbia duhet t’i shpërbëjë institucionet e veta ilegale në Kosovë e pastaj të shpresojë për ndonjë negociatë me BE-në”, thekson Arifaj.

Sido që të jetë, ndër shenjat e para të tensionimit të situatës në veri të Kosovës, është edhe bllokimi i sërishëm i disa rrugëve nga serbët lokal në këtë pjesë të vendit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG