Ndërlidhjet

Misionet e BE-së koordinohen me qeverinë e Kosovës për 16 shtatorin


Bashkimi Evropian e ka cilësuar marrëveshjen e arritur në Bruksel më 2 shtator për vulat doganore si një hap të rëndësishëm përpara drejt lirisë së tregtisë në rajon.

Në një komunikatë të përbashkët për opinion, përfaqësuesi i posacëm i BE-së në Kosovë dhe misioni evropian për sundimin e ligjit, kanë thënë “se jemi konsultuar nga autoritetet në Kosovë mbi procesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”.

“Plani që ka rezultuar ka për synim përmirësimin e sundimit të ligjit në portat në veri të Kosovës. Plani do të operacionalizohet më 16 shtator”, thuhet në komunikatë, në të cilën njëkohësisht vihet në pah pritja e BE-së për heqjen e embargove mbi tregëtinë midis Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi i posacëm i Bashkimit Evropian, Fernando Xhentilini, i ka cilësuar si shumë pozitive konsultimet që autoritetet kosovare kanë bërë në këtë drejtim.

“Shpresoj që kjo do të mundësojë zbatimin e marrëveshjes së arritur në tavolinën e dialogut. Plani do të ndihmojë në parandalimin e kontrabandës dhe do të përmirësojë sigurinë në njësinë e vetme doganore të Kosovës”.

Në komunikatë, shefi i Eulex-it, Ksavier But de Marnak, citohet të ketë thënë se “e gjithë kjo është në funksion të përmirësimit të sundimit të ligjit në veri, që është në interes të të gjithë qytetarëe dhe është ajo për cfarë angazhohet Eulex-i”.

“Në porta do të ketë ekipe të përziera. Puna operacionale do të bëhet nga Eulex-i, në përputhje me mandatin që ka”, citohet të ketë thënë de Marnak.
XS
SM
MD
LG