Ndërlidhjet

Rasmusen: KFOR-i nuk do të tolerojë dhunën


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka deklaruar të enjten në Prishtinë se forca paqeruajtëse do të reagojë nëse vjen deri te rrezikimi i sigurisë dhe paqes në veri të Kosovës.

Këto komente, Rasmusen i ka bërë gjatë konferencës për media, pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Hashim Thaçi.

Në interesimin e gazetarëve se si do të sillet forca e KFOR-it nëse strukturat paralele në veri do të përpiqen që me forcë të mos lejojnë zbatimin e planit për rihapjen e doganave në veri dhe dërgimin e doganierëve e policëve kufitarë të Kosovës atje, Rasmusen tha se detyra dhe mandati i KFOR-it në Kosovë është i qartë.

“Është mandat i KFOR-it që të sigurojë një ambient të qetë dhe paqësor”, tha Rasmusen, duke shtuar se “KFOR-i do të ndërmarrë veprime nëse kjo siguri dhe paqe do të vihet në rrezik”.

Ai nuk ka dhënë detaje të operacionit që pritet të zhvillohet për zbatimin e planit për rihapjen e pikave doganore nga 16 shtatori, por tregoi vendosmërinë e KFOR-it që nuk do të lejojë të cenohet paqja në Kosovë.

“Nuk do të komentoj për operacionin, detajet e tij, por trupat e KFOR-it do të veprojnë në vetëmbrojtje dhe në atë që e thashë, për të garantuar një ambient të qetë dhe sigurt”, theksoi Rasmusen.

Gjatë kësaj konference, Rasmusen rikujtoi se për 12 vjet NATO-ja ka arritur që në Kosovë të garantojë paqe e siguri për të gjithë dhe i paralajmëroi të gjithë se se nuk do të tolerohet kthimi prapa në dhunë dhe tensione të reja.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi ka ripërsëritur se nga 16 shtatori zbatohet marrëveshja për doganat dhe se pjesë e planit do të jenë edhe EULEX-i dhe KFOR-i.
XS
SM
MD
LG