Ndërlidhjet

“Greenpeace” mbush 40 vjet

  • RFE /RL


Dekada më parë, tubimi i një grupi të vogël aktivistësh për të ndaluar testimin e një bombe bërthamore, ndërtoi themelet e asaj që do të bëhej një organizatë ndërkombëtare mjedisore, e cila ka kontribuar për të ndryshuar vizionin e botës.

Pikërisht 40 vjet më parë, më 15 shtator të vitit 1971, grupi i të rinjve, pacifistëve, ekologëve dhe gazetarëve nisi lundrimin nga Vankuver i Kanadasë, me një anije peshkimi të quajtur “Greenpeace”, në shenjë proteste ndaj testimit bërthamor të Shteteve të Bashkuara në perëndim të Alaskës.

Ndonëse anija ishte ndaluar para arritjes në Amçitka, aksioni ka ndihmuar ngritjen e vetëdijes globale për shpërthimet dhe Shtetet e Bashkuara kanë anuluar testimin bërthamor në ishull, vitin që pasoi.

Grupi ka bërë bujë globale në vitin 1985, kur anija e tij u hodh në erë nga agjentët francezë, për ta parandaluar atë të arrijë në Mururoa, vendin e testimeve në Paqësorin Jugor.

Me kalimin e viteve, organizata “Greenpeace” ka zgjeruar veprimtarinë, duke luftuar për fronte të ndryshme mjedisore, përfshirë dhe ndryshimet klimatike.

Sara Holden, menaxhere e lartë për komunikim në këtë organizatë, thotë se “Greenpeace” ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në ballë të ndryshimeve të rëndësishme mjedisore në botë.

Ne jemi 40 vjeç dhe, të jem e sinqertë, nuk do të donim asgjë më shumë, pos të dalim në pension. Por, për fat të keq, puna jonë është ende e nevojshme.
Ne jemi 40 vjeç dhe, të jem e sinqertë, nuk do të donim asgjë më shumë, pos të dalim në pension. Por, për fat të keq, puna jonë është ende e nevojshme”, thotë Holden për Radion Evropa e Lirë.

Ajo thekson se “Greenpeace” ka arritur rezultate të mëdha në përmirësimin e mjedisit, duke veçuar fushatën e organizatës për të arritur mbrojtje të plotë për Antarktikun.

Në vitin 1994, grupi ka shënuar fitore kur nënshkruesit e Traktatit të Antarktikut kanë rënë dakord për të miratuar një protokoll të ri mjedisor, përfshirë këtu ndalimin, të paktën 50-vjeçar, të të gjitha shfrytëzimeve minerale.

“Greenpeace International”, me seli në Amsterdam, tani ka zyra në më shumë se 40 vende dhe rreth 2.8 milionë mbështetës. Personeli prej 1,200 personash radhitet prej “aktivistëve të drejtpërdrejtë” deri te hulumtuesit shkencorë.

Vitin e kaluar, buxheti i organizatës ka arritur në 310 milionë dollarë. “Greenpeace” nuk pranon të holla nga kompanitë, qeveritë apo partitë politike, në mënyrë që të ruajë pavarësinë.

Organizata është akuzuar të jetë kundër përparimit, për kundërshtimet e saj ndaj energjisë bërthamore dhe prodhimeve të modifikuara gjenetike.

Qasja e pazakontë e “Greenpeace” për të shpëtuar planetin, ka tërhequr po ashtu kritika. Disa nga taktikat e saj provokuese përfshijnë “fushatat agresive” për të ndaluar gjuetinë e fokave si dhe “konfrontimet” e varkave me balenat.

“Greenpece” ka nisur fushatën e parë kundër gjuetisë së balenave në vitin 1975, duke u përballur me anijet sovjetike në brigjet e Kalifornisë, në mbrojtje të balenave.

Fushata po ashtu shënoi fillimin e një sërë aksionesh, që kishin në shënjestër Bashkimin Sovjetik.

Më 1982, anija e organizatës “Sirius” lundroi në portin e Leningradit, duke lëshuar 2,000 tullumbace me helium, që bartnin mesazhin: “Bashkimi Sovjetik: Ndaloni provat atomike”.

Andrej Petrov, koordinator i organizatës “Greenpeace” në Rusi, thotë:

Në kohën e Perestrojkas në Bashkimin Sovjetik, partia jonë komuniste, qeveria jonë e ka kuptuar se kjo organizatë nuk është politike, porse puna e saj në mbarë botën është shumë e rëndësishme vetëm për mbrojtjen e mjedisit”.

“Greenpeace” ka vazhduar punën në këtë rajon edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Zyra e Ukrainës u mbyll në vitin 1997, ndërsa në Rusi vazhdon të operojë me 50 njerëz, të vendosur në Moskë dhe Shën Petersburg. Petrov thotë se dega përkrahet nga 600 vullnetarë dhe nga buxheti vjetor në vlerë prej 1.6 milion dollarësh.

Më shumë se 25 vjet përpjekje të “Greenpeace” për të vënë në dukje dhe për të kundërshtuar dërgesat e mbeturinave bërthamore nga Franca në Rusi, kanë detyruar Moskën vitin e kaluar t’i japë fund praktikës së tillë.

Për të festuar kontributin e organizatës për mjedisin, 40 vjet pas, kryetari i qytetit kanadez, Vankuver, do të shpallë 15 shtatorin “Dita e Greenpeace”.(v.t.)


XS
SM
MD
LG