Ndërlidhjet

logo-print

Pritje nën tension


Barrikadë në veri të Mitrovicës

Barrikadë në veri të Mitrovicës

Situata ne veriun e Kosovës vazhdon të jetë e qetë, ndonëse e tensionuar, vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjatë ditës së sotme nuk ka pasur ndonjë incident që do ta rrezikonte situatën e përgjithshme të sigurisë në rajonin e Mitrovicës, ndonëse në disa rrugë, në pjesën veriore të vendit, serbët lokalë kanë vendosur pengesa.

Pengesa kemi së paku në tri lokacione të ndryshme, që prej 2 ditë më herët kur janë vendosur pengesat në rrugën kryesore, që lidhë qytetin e Zveçanit me veriun e Mitrovicës, e që është pjesërisht, do të thotë, një korsi e rrugës, e bllokuar. Qarkullimi në trafikun rrugor zhvillohet, megjithëse me ngadalësime. Pengesa tjetër është në afërsi të shkollës teknike, përkatësisht, është rruga mbi Lagjen e Boshnjakëve, që lidhë veriun dhe jugun e qytetit të Mitrovicës. Është edhe pengesa, e natës së mbrëmshme, mbi urën kryesore mbi lumin Ibër”.

Ndryshe, nesër pritet të fillojë realizimi i planit operacional të Qeverisë së Kosovës për funksionalizimin e plotë të kontrollit në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit.

Hoti ka theksuar se pavarësisht situatës së qetë në rajonin e Mitrovicës dhe në veri të vendit, megjithatë janë të dukshme indikacionet se atmosfera e përgjithshme në këtë pjesë të Kosovës është e tensionuar.

Tensionet dhe të priturat e qytetarëve, sigurisht që janë të ndryshme. Zakonisht, ngjarjet të cilat pritet të ndodhin, nëse kanë karakter madhor, qoftë të nivelit politik apo të nivelit të sigurisë, ato sjellin me vete edhe tensionet, gjë që është e natyrshme. Por, më e rëndësishme është se kjo nuk është shprehur në incidente të karakterit ndëretnik. Në të gjitha zonat e banuara me popullatë të përzier, Policia e Kosovës është e pranishme, ndërkaq që deri në këto qaste nuk është raportuar as edhe për një incident të vetëm”, tha ai.

Situatën në veri të vendit, si të qetë e vlerëson edhe Marko Jakshqiq, lider politik i serbëve të veriut të Kosovës.

Ai thotë se në anën veriore të Mitrovicës jeta po zhvillohet normalisht, ndonëse, sipas tij, janë vërejtur lëvizje të qytetarëve pranë barrikadave në fshatin Rudarë.

Nuk ka ndodhur asgjë, përveç se është shtuar prania e popullit pranë të ashtuquajturave barrikada, para së gjithash në Rudarë. Ndryshe, nuk ka ndodhur asnjë incident deri më tash”, tha Jakshiq.

Megjithatë, ai vlerëson se serbët lokalë do ta kundërshtojnë çfarëdo aksioni të Qeverisë së Kosovës për funksionalizimin e vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë, si dhe vendosjen e doganierëve dhe policëve kufitarë në ato vendkalime.

Pavarësisht kësaj, ai nuk pret se mund të ndodhin incidente gjatë ditës së premte.

Ekziston vendosmëria te serbët që të mos lejojnë që në këto hapësira të instalohet edhe një shtet shqiptar në Ballkan. Njerëzit do të përpiqen që para së gjithash, në mënyrë paqësore, pa dhunë, me metoda gandiane, të pengojnë ardhjen e doganierëve, duke pasur parasysh se kjo do të nënkuptonte instalimin e shtetit të Kosovës edhe në këtë hapësirë”, theksoi Jakshiq.

Ndryshe, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruar se nuk do të sprapsen nga vendimi i tyre për vendosjen e kontrollit në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, si dhe vendosjen e sundimit të ligjit në këtë pjesë të vendit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG