Ndërlidhjet

Sarkozi dhe Kameron në Libi

  • RFE /RL

Presidenti francez, Nikollas Sarkozi, dhe kryeministri britanik, Dejvid Kamerun.

Presidenti francez, Nikollas Sarkozi, dhe kryeministri britanik, Dejvid Kamerun.

Presidenti francez, Nikollas Sarkozi, dhe kryeministri britanik, Dejvid Kamerun, kanë arritur në Libi, në përpjekje për të treguar mbështetje për anëtarët e udhëheqjes së përkohshme. Kështu ata u bënë liderët e parë perëndimorë të nivelit të lartë, që e vizitojnë Libinë, prej se u përmbys koloneli Muamer Gadafi.

Franca dhe Britania ishin mbështetës të zëshëm të fushatës së bombardimeve të NATO-s, që ndihmoi në përmbysjen e Muamer Gadafit, i cili në pushtet ishte për 42 vjet.

Kjo vizitë po bëhet në periudhën e vazhdimit të luftimeve në Libi, tri javë pasi forcat kryengritëse e morën kontrollin në kryeqytet.

Vlerësohet se vizita paraqet përpjekje për të treguar mbështetje për udhëheqësit e përkohshëm të këtij vendi të mbledhur në Këshillitn Tranzicional Kombëtar.

Kryeministri Dejvid Kamerun, në konferencën për shtyp në Tripoli, së bashku me presidentin francez, Nikollas Sarkozi, dhe me liderin e Këshillit Tranzicional Kombëtar të Libisë, Mustafa Abdel Xhalil, theksoi se në Libi kishte ndodhur një transformim mbresëlënës.

Para pak javësh, Gadafi ende e kishte kontrollin këtu në Tripoli dhe mendoj se ajo që ka parë bota, është sinqerisht një transformim mbresëlënës. Kuptohet, do të ketë vështirësi përpara dhe ka shumë gjëra që duhet të rregullohen. Por, fakti se rrugët e juaja janë përsëri përplot me trafik, keni ujë, spitalet tuaja po punojnë, kjo është impresive”, tha Dejvid Kamerun.

Më tutje, ai ka theksuar se gjërat ende nuk kanë përfunduar dhe se “ka ende pjesë të Libisë nën kontrollin e Gadafit”.

Por, ai ka premtuar ndihmë për gjetjen e ish liderit të Libisë.

Ne do të ndihmojmë për ta gjetur Gadafin dhe për ta sjellë atë para drejtësisë. Ne, po ashtu, dëshirojmë të ndihmojmë që armatimin e rrezikshëm ta dërgojmë jashtë Libisë. Pavarësisht se këto armatime, qofshin ato raketa apo mina, kjo do të tregohet si problem për popullin tuaj. Britania është e përkushtuar të ndihmojë për t’i larguar minat jashtë Libisë”, tha Dejvid Kamerun.

Presidenti francez, Nikollas Sarkozi, theksoi se tirani i përmbysur mbetet “rrezik” dhe se ka ende punë për të bërë në eliminimin e bazave të forcave të Gadafit.

Ai më tutje është shprehur se është tejet e rëndësishme që vendet të bashkëpunojnë në gjetjen e zyrtarëve të kërkuar të regjimit të përmbysur në Libi dhe tha se beson se fqinji jugor, Nigeria, ish koloni franceze, nuk do të jetë strehim për ata që kërkohen nga drejtësia.

Njëherësh, presidenti francez, ka kërkuar që libianët ta ruajnë unitetin dhe të synojnë pajtueshmëri:

Franca është shumë e lidhur me unitetin e Libisë, me pajtueshmërinë e libianëve dhe Franca ju thotë miqve libianë: shikoni së bashku në të ardhmen, pa hakmarrje”, tha Nikollas Sarkozi

Kjo vizitë u bë pasi të mërkurën në Tripoli qëndroi zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, Xhefri Feltman, me ç’rast ka shprehur përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për udhëheqësit e përkohshëm të Libisë.

Ne mbesim të inkurajuar nga komanda në rritje dhe kontrolli ndaj forcave policore të sigurisë. Ne e kuptojmë se kjo është detyrë e vështirë. Udhëheqja e përkohshme e Libisë po i konsolidon këta hapa dhe brigadat revolucionare po i integron nën një autoritet civil”, tha Xhefri Feltman. (f.b.)
XS
SM
MD
LG