Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga: Në gjithë territorin e vendit të zbatohet rendi dhe ligji


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, sot, me t’u kthyer nga vizita triditore shtetërore në Hungari, e priti në takim kryeministrin e Republikëss ë Kosovës, Hashim Thaçin, i cili e informoi për planin operacional të Qeverisë së Kosovës për funksionalizimin e pikave doganore në kufirin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ka njoftuar Zyra e presidencës.

Presidentja e Kosovës në kuadër të funksioneve të veta kushtetuese i dha mbështetje të plotë planit të qeverisë së Kosovës për implementimin e vendimit qeveritar për Marrëdhëniet Tregtare me Serbinë, që është plotësisht i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe që është rezultat i marrëveshjes së arritur në Bruksel, në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që u ndërmjetësua dhe miratua nga BE-ja.

Vënia në funksion e doganave është veprim legal dhe legjitim i mbështetur nga faktori ndërkombëtar dhe nga misioni i KFOR-it dhe EULEX-it në Kosovë, të cilët do të japin mbështetjen dhe ndihmën e plotë, në kuadër të mandatit të tyre, në zbatimin e rendit dhe të ligjit në Republikën e Kosovës.

Kjo është në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës sidomos në të mirë të qytetarëve të nacionalitetit serb, që jetojnë në komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, sepse në këtë mënyrë i ndërpritet përfundimisht rruga kontrabandës dhe krimit të organizuar, që dëmtonte jo vetëm buxhetin e Kosovës dhe ekonominë e Serbisë, por edhe ekonominë familjare dhe interesat e qytetarëve për të zhvilluar biznes të ligjshëm duke respektuar pagesën e doganave dhe të taksave përkatëse për importin dhe eksportin e mallrave që kalojnë në pikat kufitare.

Me këtë i ndihmohet afarizmit të ndershëm, që është edhe dëshira e të gjithë qytetarëve dhe i ndërpritet rruga ekonomisë joformale dhe përfituesve që fitojnë në kurriz të taksapaguesve dhe shtetit.

Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të përkrahin këto masa të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kërkojmë nga autoritetet e Serbisë që të heqin dorë nga manipulimet me ndjenjat e qytetarëve dhe të respektojnë marrëveshjet për të cilat vetë janë dakorduar në dialogun e zhvilluar në Bruksel.

E ardhmja e dy vendeve tona është në respektimin e njëri-tjetrit dhe në zbatimin e rregullit dhe të ligjit, në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare normale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete sovrane dhe të pavarura, që e kanë të ardhmen e përbashkët në integrimet euro-atlantike, thuhet në kumtesën e Zyrës së presidencës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG