Ndërlidhjet

Nuk ndryshojnë qëndrimet e Prishtinës e Beogradit rreth veriut


Edhe pse nuk u mor ndonjë vendim i caktuar gjatë takimit urgjent të Këshillit të Sigurimit për Kosovës, përfaqësues të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar vazhduan të këmbëngulin në qëndrimet e tyre rreth veriut të Kosovës, bën të ditur agjencia e lajmeve AP.

Ndihmës-sekretari gjeneral për operacione paqëruajtëse i OKB-së, Edmond Mulet, i tha këshillit se Kombet e Bashkuara janë të shqetësuara që vendosja e pikave doganore në veri “do të mund të çonte në ashpërsimin e qëndrimeve në terren, në kërcënimin e stabilitetit dhe në shpërthimin e sërishëm të dhunës”.

Edhe pse njoftohet që misioni i OKB-së në Kosovë të mos ketë qenë i konsultuar nga palët e përfshira rreth veriut, Mulet tha se ky mision i ka dërguar mesazhe Prishtinës, Beogradit dhe udhëheqësve të serbëve në veri të Kosovës, me të cilat “ritheksohet rëndësia për mbajtjen e qetësisë, ndërsa kundërshtohen veprimet e njëanshme apo përdorimi i forcës e dhunës”.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitali Çurkin, citohet të këtë thënë se “shpresa jonë” është që autoritetet kosovare të pezullojnë operacionin dhe të vazhdojnë dialogun me Serbinë.

“Kjo është një situatë shumë e rrezikshme”, tha ai për të theksuar se “kjo paraqet një rrezik të ri të konflitit dhe derdhjes së gjakut”, tha ai.

Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiq, dhe homologu i tij kosovar, Enver Hoxhaj, i cili po qëndronte në Nju Jork për shkak të takimit urgjent të këshillit, patën qëndrime diametralisht të kundërta rreth pikave kufitare.

“Pyetja është shumë e thjesht”, u tha Jeremiq gazetarëve. “Ne kemi një dialog. A do t’i zgjidhim çështjet e hapura gjatë dialogut apo do të imponohet diçka në mënyrë të njëanshme pa mendimin e palëve të interesuara?”

Hoxhaj tha se pikat doganore janë në kuadër të kufijëve të Kosovës të cilat njihen ndërkombëtarisht, ndërsa rikujtoi që çështja e menaxhimit të kufijëve i takon qeverisë së Kosovës.

“Asgjë nuk do të ndodhë nëse Serbia do paqe, siguri dhe stabilitet”, u shpreh Hoxhaj.
XS
SM
MD
LG