Ndërlidhjet

KS nuk miraton propozimin rus


Nju Jork, 15 shtator 2011.
Nju Jork, 15 shtator 2011.
Këshilli i Sigurimit, në takimin e së enjtes, nuk ka miratuar propozimin e Rusisë për të nxjerrë një deklaratë, me të cilën do t’iu kërkohej shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës të shmangin dhunën dhe t’i zgjidhin mospajtimet përmes dialogut.

Takimi urgjent, që u mbajt pas mesnatës (sipas kohës në Evropë), erdhi pas kërkesës së Rusisë dhe të Serbisë për të “shqyrtuar situatën në Kosovë, për shkak të mundësisë së përshkallëzimit të tensioneve”, ndërsa pasoi paralajmërimet e Prishtinës zyrtare që më 16 shtator do të zbatojë në tërësi planin për operacionalizimin e plotë të pikave kufitare në veri të Mitrovicës.

Ndihmës-sekretari gjeneral për operacione paqeruajtëse i OKB-së, Edmond Mulet, i tha Këshillit se Kombet e Bashkuara janë të shqetësuara që vendosja e pikave doganore në veri “do të mund të çonte në ashpërsimin e qëndrimeve në terren, në kërcënimin e stabilitetit dhe në shpërthimin e serishëm të dhunës”.

Edmond Mulet
“Në përgjithësi duket se mbizotëron një atmosferë e shqetësimit dhe e ankthit me serbët kosovarë, të cilët po tregojnë një vigjilencë dhe gatishmëri të shtuar për të reaguar ndaj zhvillimeve - për shembull, duke rivënë bllokadat rrugore në urën kryesore në Mitrovicë, sikurse në rrugët kryesore në veri”, u shpreh Mulet.

Edhe pse njoftohet që misioni i OKB-së në Kosovë nuk ka qenë i konsultuar nga palët e përfshira rreth veriut, Mulet tha se ky mision i ka dërguar mesazhe Prishtinës, Beogradit dhe udhëheqësve të serbëve në veri të Kosovës, me të cilat “ritheksohet rëndësia për mbajtjen e qetësisë, ndërsa kundërshtohen veprimet e njëanshme apo përdorimi i forcës e dhunës”.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitali Çurkin, citohet të këtë thënë se “shpresa jonë” është që autoritetet kosovare të pezullojnë operacionin dhe të vazhdojnë dialogun me Serbinë.

“Kjo është një situatë shumë e rrezikshme”, tha ai, për të theksuar se “kjo paraqet një rrezik të ri të konfliktit dhe derdhjes së gjakut”.

Ndërkohë, përfaqësues të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar vazhduan të këmbëngulin në qëndrimet e tyre rreth veriut të Kosovës. Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, kërkoi që problemet rreth veriut të zgjidhen në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun nesër. Jam i sigurt se mund të gjejmë një zgjidhje për këtë çështje. Ne nuk po arrijmë të kuptojmë se përse nuk po preferohet ky kurs i veprimit karshi veprimeve të njëanshme, të cilat, sipas ndihmës-sekretarit gjeneral, por edhe sipas pjesës dërrmuese të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, po e kërcënojnë paqen dhe stabilitetin”, u shpreh Jeremiq.

Enver Hoxhaj
Homologu i tij kosovar, Enver Hoxhaj, i cili po qëndronte në Nju Jork për shkak të takimit urgjent të Këshillit, tha se pikat doganore janë në kuadër të kufijve të Kosovës, të cilët njihen ndërkombëtarisht, ndërsa rikujtoi që çështja e menaxhimit të kufijve i takon Qeverisë së Kosovës. Ai kritikoi qasjen e shtetit serb ndaj çështjes së veriut të Kosovës.

“Ajo që dëgjuam pak minuta më parë është se Serbia ka vendosur të kundërshtojë bashkësinë ndërkombëtare kundër Këshillit të Sigurimit si institucion, kundër Bashkimit Evropian, kundër NATO-s. Pyes vetën nëse po jetojmë në vitin 1991 apo në vitin 2011, ku të dyja vendet do të duhej të bashkëpunonin më shumë në drejtim të integrimit euro-atlantik, sesa në ndonjë gjë tjetër”, u shpreh Hoxhaj. (e.p)
XS
SM
MD
LG