Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria: Operacioni në dogana, i suksesshëm


Në një njoftim para kabinetit qeveritar, kryeministri Hashim Thaçi tha se operacioni për dërgimin e doganierëve dhe policëve kufitarë vendas e ndërkombëtarë në pikat 1 dhe 31, ka kaluar sipas parashikimeve.

Ndërsa është zotuar se këto pika do të funksionalizohen dhe punojnë si edhe pikat tjera kufitare, Thaçi i bëri thirrje Serbisë që të heqë dorë nga politika destruktive dhe të pranojë vendosjen e raporteve fqinjësore me shtetin e Kosovës.

“Procesi i implementimit të planit operacional ka filluar me sukses në mëngjes. Doganierët dhe Policia e Kosovës, së bashku me atë të EUELX-in, si dhe KFOR-i, tashmë janë në dy pikat kufitare”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.

“Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të ftoj Beogradin që përfundimisht të heqë dorë nga përpjekjet dëshpëruese për të destabilizuar rajonin dhe të pranojë njëherë e përgjithmonë se Kosova është e pavarur, sovrane, një dhe e pandarë”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi i ka ftuar sërish qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe maturinë dhe të besojnë në punën e institucioneve të shtetit dhe të mekanizmave ndërkombëtarë.

Ndërkaq, ai i ka ftuar serbët që të mos i përkrahin strukturat, të cilat po vendosin barrikada e bllokada nëpër rrugët në komunat veriore të Kosovës, duke i siguruar ata se plani i qeverisë nuk është i drejtuar kundër askujt, por ka si qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit në portat kufitare.
XS
SM
MD
LG