Ndërlidhjet

Vazhdojnë tensionet


Mitrovicë, 16 shtator 2011.
Mitrovicë, 16 shtator 2011.
Përveç bllokadave, të cilat janë vendosur në disa rrugë në veriun e Kosovës, gjatë ditës së sotme nuk është shënuar ndonjë incident që do ta rrezikonte sigurinë e përgjithshme në këtë pjesë të vendit, thonë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se policia është duke ndjekur me vëmendje situatën në veri të vendit.

Besim Hoti
“Policia e Kosovës është fokusuar kryesisht në zonat, që besohet të jenë të ndjeshme apo që mund të jenë potencial i mundshëm për ndonjë incident. Por, është me rëndësi që nuk është regjistruar asnjë incident. Kemi prezencën tonë dhe ngritjen e vigjilencës kryesisht në zonat e banuara me popullatë të përzier. Jemi duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet, të cilat ndodhin në rajonin ose në zonën tonë të përgjegjësisë”, tha Hoti.

Ngjashëm e kanë raportuar situatën edhe zyrtarët e EULEX-it, ndonëse e kanë quajtur të tensionuar.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nikolas Hotën, i tha Radios Evropa e Lirë se deri më tash nuk është raportuar për asnjë incident.

“Deri më tash, nuk kemi ndonjë raport për ndonjë incident. Është e drejtë të thuhet se situata është e tensionuar. Një numër i barrikadave janë të vendosura tashmë në disa udhëkryqe të rrugëve në veri të Kosovës”, tha ai.

Që nga orët e para të mëngjesit, helikopterët e KFOR-it i kanë bartur doganierët në vendkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinë, në veri të Kosovës.

Qasjen deri te pikat e doganave në njërën anë nuk e kanë lejuar forcat e KFOR-it, ndërkaq në anën tjetër serbët lokalë.

Pak pas orës 8 të mëngjesit, ushtarët e KFOR-it janë përpjekur që t’i shtrijnë telat gjemborë në afërsi të vendkalimit kufitar në Bërnjak. Serbët lokalë i janë përgjigjur këtij veprimi duke shkarkuar kamionë me zhavorr në mes të rrugës.

Goran Bogdanoviq, ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, tha se autoritetet serbe janë duke i verifikuar informatat se a janë vendosur doganierët kosovarë në vendkalimet kufitare.

Goran Bogdanoviq
“Të dyja vendkalimet kufitare janë të bllokuara nga forcat e KFOR-it. Trafiku është bllokuar. Nga ana tjetër kemi serbët, të cilët në mënyrë të qetë dhe dinjitoze po i bëjnë rezistencë pavarësisë së Kosovës dhe nuk po lejojnë në asnjë mënyrë doganierët kosovarë dhe policinë kufitare të Kosovës, që në çfarëdo mënyre ta imponojnë shtetin e Kosovës”, tha Bodanoviq.

Serbët lokalë thonë se në pikën ku është bllokuar rruga në Bërnjak, janë duke qëndruar që nga nata e kaluar, me qëllim që në vendkalimet kufitare, siç thonë ata, të mos lejojnë vendosjen e doganierëve dhe policëve kufitarë të Kosovës.

Natën e kemi kaluar këtu. Siç e shihni, po e hedhim zhavorrin që ta mbyllim rrugën, në mënyrë që ata të mos mund të kalojnë. Çfarë po bartin ata, njerëz, ushqim apo diç tjetër, nuk di. Ata kanë tentuar në mëngjes që të bartin ushqim dhe njerëzit tanë e kanë refuzuar një gjë të tillë”, tha njëri prej serbëve lokalë.

Një tjetër qytetar serb, i cili tha se është punëtor arsimor në Bërnjak, tha se serbët lokalë janë të vendosur që të mos tërhiqen nga qëllimet e tyre për të penguar vendosjen e kontrollit në vendkalimet kufitare nga institucionet e Kosovës.

Për asnjë moment nuk më shkon ndërmend të tërhiqem, pavarësisht nga kjo që shohim, aeroplanët e tyre dhe presionet që ushtrojnë. Jam thellësisht i bindur që në këtë mënyrë, me aksionet tona të organizuara, por përmes rrugëve paqësore, me siguri se do të kemi sukses dhe plani i tyre do të dështojë. Më besoni që Amerika shumë shpejt do të dështojë”, tha qytetari serb nga Bërnjaku.

Edhe në fshatin Zupç, serbët lokalë kanë bllokuar rrugën në të dy drejtimet, me qëllim që të pengojnë kalimin eventual të automjeteve të KFOR-it drejt Bërnjakut. Rrugët janë bllokuar me kamionë dhe autobusë, ndërsa një numër i serbëve kanë protestuar duke thënë se janë të gatshëm të shkojnë deri në fund.

Jarinë, 16 shtator 2011.
Njëri prej protestuesve serbë kritikoi kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq, për, siç tha ai, të këqijat që po u ndodhin serbëve.

Tadiqi le ta marrë për vete të keqen, EULEX-in dhe të gjitha. Kjo është kaos. Nuk do të lejojmë vendosjen e doganierëve edhe me çmimin e jetës. Mos t’ia lënë fajin këtij apo atij. Fajet janë atje në kokë, në udhëheqje”, tha serbi nga Zupçi.

Ngjashëm mendon edhe një serb tjetër nga Zupçi, i cili tha se në mesin e serbëve ekziston frika.

“Jemi mësuar me këtë ambient, por frika ekziston dhe kjo është normale në situata të tilla”, tha ai.

Në anën veriore të qytetit të Mitrovicës, qytetarët serbë thonë se jeta po zhvillohet normalisht, por situata është e tensionuar. Nikolla Jovanoviq tha:

“Atmosfera është më shumë se e frikshme. Është e tensionuar, me shumë psikozë, frikë dhe pasiguri. Disponimi është i ndryshëm, por, sidoqoftë, ne do të qëndrojmë këtu”.
XS
SM
MD
LG