Ndërlidhjet

Ku shkojnë të hyrat?


Ilustrim
Ilustrim
Të hyrat nga importi i mallrave nga Serbia në vendkalimet kufitare në Jarinë dhe Bërnjak duhet të derdhen drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës dhe pastaj të shpërndahen si të gjitha mjetet tjera për nevojat e agjencive buxhetore, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Eksperti Muhamet Sadiku hedh poshtë zërat se këto mjete duhet të shkojnë drejtpërdrejt në komunat veriore.

“Ideja për derdhjen e të hyrave doganore në mënyrë të drejtpërdrejtë në komunat veriore, ka qenë pjesë e planit të Kombeve të Bashkuara, por prej atëherë është ditur së është joserioze, jorealiste, do të dëmtonte seriozisht hapësirën ekonomike të Kosovës dhe do të cenonte integritetin politik dhe territorial të Kosovës”, thekson Sadiku.

Të hyrat doganore nga pikat kufitare 1 dhe 31, sipas tij, gjithsesi duhet të shkojnë përmes buxhetit të Kosovës. Ai thotë se edhe kjo pjesë e vendit duhet t’i nënshtrohet autoritetit fiskal tatimor të Kosovës.

Sipas Sadikut, me rastin e derdhjes së këtyre të hyrave në buxhetin e Kosovës, qeveria do të gjejë mënyra që në kuadër të prioriteteve të veta, t’i marrë në konsideratë projektet dhe iniciativat që vijnë nga komunat veriore të Kosovës.

“Se sa do t’iu takojnë nga këto mjete këtyre komunave, më shumë apo më pak, do të varet nga prioritetet e qeverisë, se si prioritetet e qeverisë do të shndërrohen në shpenzime buxhetore. Me sa di unë, ekziston një gatishmëri edhe e mekanizmave ndërkombëtarë, edhe e institucioneve të Kosovës, që duhet të inkurajojë vëmendjen e komunitetit serb që të bëhet pjesë përbërëse e procesit”, thotë Sadiku.

Edhe Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, mendon se të hyrat, të cilat mblidhen në pikat kufitare, janë të hyra që i takojnë buxhetit të Kosovës.
Të hyrat që mblidhen nëpër vendkalime, duhet të shpërndahen në bazë të rregullave që përcaktohen nga Ministria e Financave.

Ai thotë se të hyrat që mblidhen në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 duhet të ndahen në bazë të rregullave të institucioneve përkatëse.

“Të hyrat që mblidhen nëpër vendkalime, duhet të shpërndahen në bazë të rregullave që përcaktohen nga Ministria e Financave dhe natyrisht duhet të ndahen si deri më tani - për shpenzime publike në nivel vendi, aty ku institucionet përkatëse e shohin më të arsyeshme”, thotë Zeka.

Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka të njëjtin qëndrim - të hyrat nga pikat kufitare 1 dhe 31 duhet të derdhen në buxhetin e Kosovës.

“Të gjitha të hyrat brenda territorit të Kosovës janë të hyra të buxhetit të Kosovës”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës ka marrë të premten një aksion për futjen nën kontroll të këtyre dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Në këto dy pika thuhet se tani janë vendosur doganierët dhe policët kosovarë.
XS
SM
MD
LG