Ndërlidhjet

logo-print

Si të shpëtohet euroja?


Merkel dhe Sarkozi kanë mbajtur shpesh takime për të diskutuar të ardhmen e euros.

Merkel dhe Sarkozi kanë mbajtur shpesh takime për të diskutuar të ardhmen e euros.

"Economist"

Kriza e euros është bërë aq e zymtë, aq kërcënuese dhe aq e pandalshme, saqë edhe bisedat për shpëtimin e euros vetëm shkaktojnë rritje paniku.

Investitorët kanë hetuar se liderët evropianë duket se nuk kanë vullnet të bëjnë çmos lidhur me këtë çështje.

Derisa politikanët të mos veprojnë shpejt për ta bindur botën se dëshira e tyre për ta ruajtur euron është më e madhe se aftësia e tregjeve për të qenë kundër saj, monedha e përbashkët evropiane ballafaqohet me shkatërrim.

Por, nuk është vetëm euroja në rrezik; është edhe ardhmëria e Bashkimit Evropian dhe shëndeti i ekonomisë botërore.

Tash, e vetmja mënyrë për ta ndalur rënien e spirales, është një gatishmëri supreme nga qeveritë e Eurozonës për ndërtimin e një blloku të masave financiare, për ta mënjanuar krizën dhe për ta vendosur qeverisjen e euros në një bazë më të shëndoshë.

Çmimi do të jetë i madh. Pak njerëz dëshirojnë intervenim të gjerë në tregjet financiare ose ndryshim të madh të sovranitetit kombëtar në Evropë.

Por, jo shumë e mirëpresin ndarjen më të thellë ndërmjet 17 vendeve të Eurozonës dhe të 10 vendeve të tjera të mbetura të Bashkimit Evropian. Vetëm se alternativat janë shumë më të këqija.

Kjo është e vërteta e hidhur që, në veçanti, Angela Merkel e Gjermanisë në mënyrë urgjente duhet t’ia shpjegojë popullit të saj.

Procesi i shpëtimit i kërkon disa gjëra të shpejta. Së pari duhet ta bëjë të qartë se cilat qeveri të Evropës konsiderohen të pasigurta dhe cilat janë të qëndrueshme, me ç’rast duhet t’iu jepet mbështetje e pakufizuar qeverive të paqëndrueshme, por duke e ristrukturuar borxhin e atyre që kurrë nuk mund ta ripaguajnë.

Gjëja e dytë është që të forcohen bankat evropiane, për të qenë të sigurta se ato mund t’iu qëndrojnë borxheve. E treta - duhet të ndryshohet politika makroekonomike e Eurozonës nga obsesioni i saj për shkurtim të buxhetit ndaj një agjende për rritje.

Çështja e katërt që duhet të bëhet, është e gjatë dhe kërkon më tepër kohë. Kjo do të përfshijë marrëveshje të reja dhe miratim nga parlamentet dhe votuesit.

Gjërat e tjera duhet të bëhen shumë shpejt, le të themi gjatë fundjavës, kur tregjet financiare nuk punojnë, me synim të qartë që qeveritë evropiane dhe Banka Qendrore Evropiane të veprojnë së bashku për ta ndalur qarkun vicioz të panikut. (f.b.)
XS
SM
MD
LG