Ndërlidhjet

logo-print

Situatë e qetë në veri


Autoritetet e rendit në veri të Kosovës thonë se situata e sigurisë në këtë pjesë është e qetë dhe se gjatë gjithë natës nuk është shënuar asnjë incident.

Zëdhënësi Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 gjendja është e qetë.

“I referohem së pari situatës se sigurisë, e cila mbetet e qetë, pa incidente që nga orët e mesnatës. I kemi përcjellë së bashku zhvillimet e fundit gjatë natës së mbrëmshme, kur, në afërsi të urës, kishim përforcimin e barrikadës me zhavorr, por kjo situatë nuk ka zgjatur shumë. Situata është qetësuar pas intervenimit të policisë, bashkërisht me forcat e EULEX-it dhe të KFOR-it”, deklaroi Hoti.

Sipas tij, aktualisht nuk ka qytetarë të tubuar në anën veriore të lumit Ibër, por, megjithatë, shtoi Hoti, mund të priten tubime dhe reagime nga serbët lokalë.

Ai nuk deshi të komentojë nëse pritet ndonjë intervenim për zhbllokimin e rrugëve. Hoti theksoi se prioritet mbetet ruajtja e rendit dhe qetësisë.

“Plani i zhbllokimit të rrugëve nuk do të jetë një plan vetjak i Policisë së Kosovës. Në këtë situatë jemi duke vepruar bashkërisht me EULEX-in dhe KRFOR-in, por aktualisht prioritet është qetësia”, tha Hoti, për të shtuar se nuk ka rrugë të tjera të bllokuara, përveç atyre që kanë qenë deri më tash.

Bllokimi i rrugëve thuhet të jetë nxitur nga zbatimi i planit të ekzekutivit kosovar, për vendosjen e doganierëve dhe policëve të Kosovës dhe të EULEX-it në vendkalimet kufitare 1 dhe 31.
XS
SM
MD
LG