Ndërlidhjet

logo-print

Paralajmërohet rikthimi i reciprocitetit


Foto: Duaje tëndën

Foto: Duaje tëndën

Kamionë me mallra komerciale nga Kosova nuk janë duke u lejuar të hyjnë në Serbi. Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari Lila.

Sipas saj, mallrat nga Kosova nuk lejohen të hyjnë në Serbi, për shkak të dokumenteve përcjellëse, në të cilat shkruan “Republika e Kosovës”.

Zyrtarisht jam e informuar nga udhëheqësit e Doganës se ka pasur disa tentime të kamionëve nga Kosova, që të hyjnë në Serbi, porse janë ndaluar nga ana serbe me pretekstin se dokumentet që ata i përmbajnë, nuk janë të njohura nga pala serbe”, thotë Kusari Lila.

Ndonëse kamionët nga Kosova nuk lejohen të hyjnë në Serbi, autoritetet kosovare kanë konfirmuar se Serbia ka filluar të eksportojë në Kosovë. Por, nëse një situatë e tillë do të vazhdojë, zëvendëskryeministrja Kusari Lila paralajmëron rikthimin e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë.

Në rast se nuk shohim gatishmëri nga pala serbe për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel, më 2 shtator, për pranimin e vulave doganore dhe dokumenteve përcjellëse, atëherë Kosova nuk do të vazhdojë të ballafaqohet me situatën e njëjtë të para 25 korrikut, kur Serbia ka shitur mallra në Kosovë, ndërsa Kosova nuk ka mundur as transit të kalojë në Serbi”, thotë Kusari Lila.

Merdarë, 22 korrik 2011.

Ajo bën të ditur se janë udhëzuar Doganat e Kosovës, që në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel, të përgatisin dosje për të gjitha rastet e kthimit të mallrave nga doganierët serbë. Të njëjtat, thotë Kusari Lila, do të prezantohen të hënën para autoriteteve ndërkombëtare.

Edhe përfaqësuesit e bizneseve shprehin nevojën e rivendosjes së reciprocitetit, nëse Serbia nuk lejon eksportin e produkteve kosovare në këtë vend. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë:

“Duhet të kthehen para datës 16 shtator, kur ka qenë në fuqi bllokimi ndaj prodhimeve serbe. Duket se kjo po funksion në gjuhën, e cila nuk është gjuhë liberale ekonomike, por është gjuhë reciproke...”.

Masa e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë është vendosur më 20 korrik dhe është ndërprerë më 16 shtator.

Në vendkalimin kufitar në Jarinë nuk kanë hyrë mallra as pas 16 shtatorit, për shkak të infrastrukturës së djegur nga serbët lokalë, ndërkohë që në Bërnjak kamionët nuk kanë mundur të kalojnë për shkak të barrikadave që kanë vënë serbët përreth, në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së doganorëve dhe policëve kosovarë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG