Ndërlidhjet

Kërkesa për "çmimin e madh"


Pamje arkivore të mbështetësve të palestinezëve në Stamboll.
Pamje arkivore të mbështetësve të palestinezëve në Stamboll.
Me vite, diplomatët palestinezë kanë bërë presion te disa vende për t’i njohur territoret e tyre si shtet të pavarur. Presioni në heshtje ka sjellë rezultate. Mbi 120 vende të botës kanë bërë një gjë të tillë.

Por, javën e ardhshme në Nju Jork, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të hapë sesionin e 66-të të saj, palestinezët pritet të kërkojnë çmimin e madh. Ata shpresojnë të marrin mbështetjen për shtetësi në Kombet e Bashkuara, si anëtar i plotë i organizatës botërore.

Propozimi pritet të sjellë një nga debatet më të nxehta në sesionin e ri të OKB-së. I njëjti mund të sjellë edhe ndarjet më të mëdha, pasi palestinezët pritet të marrin miratimin e dy të tretës së nevojshme - çfarë nënkupton mbështetjen e 129 vendeve të organit 193-anëtarësh. Ata mund të presin mbështetje të fortë, e ndoshta edhe unanime, nga Afrika, Azia, Amerika Latine dhe sigurisht vendet arabe.

Ramallah, 8 shtator 2011.
Por, edhe nëse Asambleja e Përgjithshme jep miratimin, kërkesa për anëtarësim të plotë duhet të shkojë në Këshillin e Sigurimit për miratim. Atje, Shtetet e Bashkuara tashmë kanë thënë se do të vënë veto për të mbështetur aleatin e tyre – Izraelin. Shteti hebre kundërshton shtetësinë palestineze, duke thënë se ajo shkel Marrëveshjen e Osllos, të vitit 1993.

Deri në takimin e OKB-së, të dyja palët – vendet që do të votojnë për dhe ato kundër – po bëjnë gjithçka të mundur për të rritur mbështetjen. Objektivat më të mëdha janë Evropa dhe demokracitë tjera perëndimore, të cilat duhet të vendosin nëse mbështetja për aleatin e tyre – Uashingtonin – ia vlen ‘dëmit politik’ që do të sillte në Lindjen e Mesme.

Fuqitë perëndimore janë të rëndësishme për çështjen palestineze, sepse, edhe pse ato nuk mund të ndryshojnë veton amerikane, do të mund t’i jepnin shtetësisë palestineze peshën që nuk mund të injorohet.

“Pyetja është: a do ta kenë mbështetjen e demokracive të mëdha? Këtu qëndron çështja - Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Bashkimi Evropian… Nëse ata fitojnë votën automatike, por humbasin vendet më prestigjioze demokratike, ajo do të ishte një formë e disfatës për ta”, thotë Elliot Abrams, ekspert për rajonin në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, i cili ka mbajtur pozicione të larta të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, nën drejtimin e Ronald Reganit dhe Xhorxh Bushit.

Deri më tani, blloku më i madh i shteteve evropiane, BE-ja, nuk ka dhënë asnjë sinjal për mënyrën se si do të veprojë.

Rashid Khalidi, ligjërues i çështjes arabe në Universitetin Kolumbia, e vlerëson në këtë mënyrë pozitën e anëtarëve të tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit:

“Duket se francezët duan të nxisin një lloj rezolute, por nuk është e qartë se sa janë të gatshëm për të shkuar kundër Shteteve të Bashkuara. Mendoj se Rusia mund t’i mbështesë, Kina mund t’i mbështesë… Nuk është e qartë se si do të veprojë Britania”.

Disa diplomatë evropianë u kanë thënë privatisht mediave perëndimore se shtetet kyçe të BE-së shpresojnë të shmangin “vendimin të gjithë së bashku”, me nxjerrjen e një draft rezolute alternative në Kombet e Bashkuara. Një gjë e tillë do të kërkonte mbështetjen ndërkombëtare për disa parametra që palestinezët do të donin t’i shihnin për procesin e paqes izraelito-palestinez.

Këta parametra përfshijnë disa gjëra, të cilat Izraeli aktualisht nuk i pranon, si këmbimet e tokës në kufijtë e para Luftës Gjashtëditëshe të 1967-ës dhe ndarjen e Jerusalemit si kryeqytet. Britania, Franca dhe Gjermania i kanë miratuar këta parametra me qëllim rinisjen e bisedimeve të ngecura për paqe ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Nga takimi i presidentit amerikan, Barak Obama, me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas. Uashington, 9 qershor 2010.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka thënë po ashtu se shteti i ardhshëm i palestinezëve duhet të bazohet në kufijtë e 1967-ës, ndërkohë që ka mbështetur nevojën e Izraelit për siguri.

Nëse palestinezët do të sistemojnë shtetësinë e tyre në Kombet e Bashkuara, në shkëmbim të përpjekjeve për vendosjen e kornizës së bisedimeve paqësore, mbetet çështje e hapur. Së paku, evropianët besojnë se dalja me një propozim mund të ndihmojë në shmangien e një shpërthimi të zemërimit në rajon, e mbase edhe të dhunës.

Një tjetër mundësi është që palestinezët – nëse patjetër bllokohen në Këshillin e Sigurimit – t’i kërkojnë Asamblesë së Përgjithshme që të njihen si shtet, por jo si anëtar i Kombeve të Bashkuara. Kjo kërkesë, e cila do vetëm miratimin e shumicës së thjeshtë në Asamble dhe nuk ka nevojë për miratimin e Këshillit të Sigurimit, do t’iu jepte atyre pozicionin e “shtetit jo-anëtar”, me status vëzhguesi – një avancim ky nga statusi i tanishëm si vëzhgues joshtetëror.

“Vëzhguesi joshtetëror” është statusi që ka aktualisht Vatikani në OKB. Diplomatët palestinezë thonë se një gjë e tillë u jep atyre të drejtën të nënshkruajnë marrëveshje të caktuara ndërkombëtare, përfshirë të drejtën për t’iu bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, nga e cila duan që ta ndjekë penalisht Izraelin për krime lufte.

Kërkesa palestineze për shtetësi në OKB kërkon njohjen e bazuar në kufijtë e Bregut Perëndimor dhe të Gazas në vitin 1967, me Jerusalemin lindor si kryeqytet. Izraeli ka tërhequr vërejtjen se miratimi do të rezultonte me “pasoja të ashpra dhe të rënda”, por nuk ka saktësuar se çfarë hapash mund të ndërmarrë. (v.t.)
XS
SM
MD
LG