Ndërlidhjet

Është inkurajues fakti që të gjithë faktorët vendimmarrës kanë arritur një mobilizim të jashtëzakonshëm për vënien nën kontroll të dy vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës; kjo praktikisht tregon se ku është kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kështu vlerësojnë analistët e çështjeve politike dhe ekspertët e çështjeve të sigurisë në Kosovë.

Analisti Behlul Beqaj thotë se me gjithë këtë fakt, gjatë 11 vjetëve të kaluar ka pasur mjaft hapësirë veprimi për strukturat jolegale dhe kriminale, të cilat janë forcuar. Sipas tij, do të nevojitet kohë që ato të shpërbëhen.

“Natyrisht që asnjë synim nuk realizohet nëse dërgohen doganierët dhe policët vetëm përmes helikopterëve. Prandaj, derisa zgjidhja kërkohet nga ajri, nuk mund të jetë definitive, deri në momentin kur nuk realizohen qarkullimet e lira nëpër rrugët, të cilat aktualisht janë të barrikaduara”.

“Ky është konstatimi im për ditët e para... Tash mbetet beteja rreth rregullimit të statusit të serbëve brenda dhe kjo është betejë që do të zgjasë ndoshta me vite”,
thotë Beqaj.

Agim Musliu, ekspert për çështje të sigurisë, thotë se pika e parë e planit operativ të Qeverisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, për kontrollimin e vendkalimeve kufitare në veri të Kosovës, tashmë është zbatuar suksesshëm. Por, sipas tij, mbetet ende mjaft punë për t’u bërë dhe për t’u siguruar një ambient i sigurt në veriun e vendit.

“Sa i përket aspektit të sigurisë në përgjithësi, situata është shumë e tensionuar, pasi të ashtuquajturit kryetarë të komunave dhe Këshilli i Emergjencave të asaj pjese kanë mbajtur mbledhjen dhe si komandant të luftës kanë zgjedhur zotin Bozhidar Deliq”.

Pranë urës qendrore në Mitrovicë...
“Edhe këto barrikada që janë të vendosur që nga e mërkura, e kam fjalën për zhavorr dhe pengesat tjera, duan të thonë se pjesa tjetër apo pjesa kriminale, e cila vepron në veri të Kosovës, nuk do të dorëzohet aq lehtë. Nga diktati i Beogradit, do që të përfitojë në fushën diplomatike për shtetin e Serbisë, sa më shumë që mundet”, thotë Musliu.

Ai vlerëson se pas vendosjes së doganierëve dhe policëve kufitarë në vendkalimet kufitare në veri, “pika më e nxehtë e këtij operacioni do të jetë largimi i pengesave dhe barrikadave”, të cilat i kanë vendosur serbët. Sipas Musliut, kjo gjë mund të sjellë probleme.

“E dimë që në atë anë të Kosovës ekziston një mori armatimi, të lehtë dhe të rëndë, nga po këta kriminelë dhe kjo strukturë, do të thosha e përzier, paramilitare dhe shtetërore e Serbisë. Do të thotë, këtu NATO-ja mund të hasë në problem. Se si do ta menaxhojë, unë nuk dua të flas hipotetikisht”.

“Por, ajo që do të kisha sugjeruar, është që çdo pengesë të trajtohet veçmas. Do të thotë, çdo bllokadë të trajtohet veçmas dhe çdo operacion të jetë me precizitet kirurgjik, për shkak se pala serbe, me çdo kusht, do që ta paraqesë veten të viktimizuar”,
thotë Musliu.

Analisti Beqaj vlerëson se situata në veri të Kosovës nuk do të mbetet e ngrirë, por në vazhdimësi do të shqyrtohet.

“Do të ndryshojë situata dhe sipas të gjitha gjasave, prognoza ime është se do të shkohet në drejtim të një zgjidhjeje speciale, qoftë ajo autonomi e tipit katalonas, Tiroli, e kështu me radhë. Do të thotë, do të jenë kombinime, të cilat pritet të vijnë në konsideratë”.

“Gjithsesi, mendoj se pala serbe do të jetë shumë më e mobilizuar, ndërkaq, si duket, pala kosovare po mendon se e ka përfunduar një çështje, e cila, sipas mendimit tim, është vetëm në fillim”,
thotë Beqaj.

Analistët e çështjeve politike dhe ekspertët e sigurisë vlerësojnë se çështja e zgjidhjes së problemeve në veri të vendit dhe integrimi i kësaj pjese do të kërkojnë mjaft kohë – sipas tyre, ndoshta edhe vite.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG