Ndërlidhjet

Duan mbështetje për prodhimet vendore


Ilustrim

Ilustrim

Pas ndërprerjes së masave reciproke dhe lejimit të hyrjes së mallrave serbe në tregun kosovar, njohës të çështjeve ekonomike bëjnë thirrje që të ruhet ritmi i mbrojtjes së prodhimeve vendore.

Eksperti Ismail Kastrati thotë se konsumatori kosovar duhet të orientohet kah prodhimet vendore, duke shprehur bindjen se cilësia e tyre është në nivelin e duhur.

Mendoj se konsumimi i produkteve kosovare është në interes të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, si nga aspekti i rritjes së punësimit, ashtu edhe nga aspekti social”, thotë Kastrati.

Sipas tij, për konsumimin e produkteve kosovare kërkohet angazhim i përbashkët i prodhuesve, qytetarëve, por edhe i ekzekutivit.

Kastrati thotë se shteti duhet t’i stimulojë prodhuesit vendorë dhe të krijojë një ambient më të përshtatshëm biznesor.

Shteti gjithsesi duhet t’i mbikëqyrë prodhuesit dhe të kontrollojë cilësinë e tyre, që të mos keqpërdorët, të mos abuzojnë me situatën aktuale të tregut, sepse, siç dihet, ne jemi në diskrepancë të madhe në krahasim me mundësitë tona për eksport në Serbi dhe importin e Serbisë që vjen në Kosovë”, thotë Kastrati.

Edhe Ymer Havolli, nga Instituti ”Riinvest”, kërkon nga Qeveria e Kosovës t’i ndihmojë prodhuesit vendorë.

Konsumatori është subjekt. Mirëpo, në këtë rast, qeveria është subjekti kyç, duke u përpjekur të rregullojë raportet në marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.

Zyrtarë të qeverisë dhe njohës të çështjeve ekonomike kanë deklaruar se Serbia do ta ketë të vështirë të rimarrë tregun kosovar në përmasat që ka pasur para 20 korrikut, kur Qeveria e Kosovës ka vendosur masa reciproke ndaj produkteve serbe.

Gjatë periudhës së zbatimit të masave reciproke, sipas tyre, është vërtetuar se tregu kosovar nuk varet nga produktet serbe.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG