Ndërlidhjet

logo-print

Synohet riparimi i raporteve SHBA-Pakistan


Departamenti amerikan i mbrojtjes njoftoi se udhëheqësit e lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit kanë zhvilluar bisedime për riparimin e marrëdhënieve amerikano-pakistaneze, të cilat ishin tendosur nga disa çështje-përfshirë sulmin amerikan në Pakistan gjatë së cilit ishte vrarë lideri i Al Kaidas, Osma Bin Laden.

Një zëdhënës i Pentagonit i tha agjencisë së lajmeve AFP se shefi i shtabit të Ushtrisë amerikane, Majk Mullen dhe homologu i tij pakistanez, gjenerali Ashfaq Kajani, kanë zhvilluar të premtën një takim më se dy orësh në kuadër të një konference të NATO-s në Spanjë.

Ky takim thuhet se ishte i pari ndërmjet krerëve ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit që kur një njësit amerikan hyri, në muajin maj, në Pakistan- pa marrë lejen e autoriteteve pakistaneze, për të vrarë Bin Ladenin në Abotabad.

Të shtunën, ambasadori amerikan në Pakistan, Kameron Munter, akuzoi qeverinë pakistaneze për mbajtjen e lidhjeve me rrjetin taleban Hakani, i cili vlerësohet të jetë përgjegjës për sulmet vdekjeprurëse të javës së kaluar në Kabul të Afganistanit.
XS
SM
MD
LG