Ndërlidhjet

Egjipti drejt zgjedhjeve parlamentare


Mediat shtetërore në Egjipt cituan zyrtarë përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve të kenë propozuar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vendit të mbahen ndërmjet 21 nëntorit dhe 4 marsit.

Kreu i Komisionit të Lartë Zgjedhor, Abdel Moez Ibrahim, tha se votimet për dhomën e ulët të parlamentit do të mbaheshin në gjysmën e parë të kësaj periudhe, ndërsa do të pasoheshin me votimet për dhomën e lartë-Këshillin Shura, në gjysmën e dytë të kohës së parashikuar.

Tani, u takon liderëve ushtarakë egjiptianë të miratojnë datat përmes një dekreti ose të zgjedhin data të reja deri në fund të këtij muaji.

Me caktimin e këtyre datave, do të vendosej për mbajtjen e zgjedhjeve të para parlamentare në Egjipt që nga rrëzimi i presidentit Hosni Mubarak.

Pas rrëzimit të tij nga pushteti më 11 shkurt ishte shpërbërë parlamenti egjiptian.

Data për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale nuk është caktuar ende, mirëpo sipas këshillit ushtarak, këto zgjedhje do të mbaheshin pas atyre parlamentare.
XS
SM
MD
LG