Ndërlidhjet

NYT: Debati për krizën e euro-s, pak progres


Ilustrim
Ilustrim
"New York Times"

Ministrat e financave të Bashkimit Evropian kanë përfunduar një takim dy-ditor pa bërë ndonjë përparim substancial drejt zgjidhjes së krizës së borxheve në rajon dhe pa bërë ndonjë zotim për rikapitalizimin e bankave evropiane.

Takimet u karakterizuan nga prania e sekretarit të thesarit amerikan, Timothi Gejtner, këshillat dhe paralajmërimet e të cilit u pritën me rezervë nga ministrat e financave të euro-zonës. Kundërshtimi i Gejtnerit ndaj idesë evropiane për një taksë globale mbi transaksionet financiare shkaktoi një debat se a do të duhej BE-ja vet ta vazhdojë rrugën e saj.

Në ndërkohë, kur në tetor udhëheqësve ndërkombëtar u përfundon afati për t’u pajtuar rreth lëshimit të një pakete ndihmëse prej tetë miliardë eurosh për Greqinë (pa të cilën ajo nuk do të jetë në gjendje ta paguaj borxhin e vet), kryeministri grek, George Papandreu anuloi një vizitë për në Shtetet e Bashkuara.

“Java e ardhshme është veçanërisht e rëndësishme për zbatimin e vendimeve të 21 korrikut në euro-zonë dhe për iniciativat të cilat duhet t’i ndërmarrë shteti”, tha Papandreu të shtunën.

Pjesëmarrja e një zyrtari amerikan në takimin e së premtes ishte e pazakontë. Ministri polak i financave, Jaçek Rostovski, i cili ftoi Gejtnerin tha se pjesëmarrja e tij dëshmon “unitetin brenda familjes trans-atlantike”.

Ky koment dalloi nga ankesat e disa ministrave evropianë të financave, përfshirë atë të austriakes Maria Fekter, e cila publikisht tha se nuk i kishte bërë përshtypje kontributi i Gejtnerit.

Megjithatë, kërkesa amerikane për vendime urgjente në mbështetje të euro-zonës u theksua të shtunën nga dy ministra evropianë të financave, shtetet e të cilave kanë qëndruar jashtë euro-zonës.

“Udhëheqësit e euro-zonës e dinë se po u ikë koha dhe se do të kenë nevojë të gjejnë një zgjidhje rreth pasigurisë së tregjeve”, u shpreh kancelari britanik i thesarit, Xhorxh Ozborn, i cili i tha BBC-së së dëshiron të shohë veprime lidhur me Greqinë dhe “dobësinë” e sistemit bankar.

“Problemi është se politikanët duket të jenë prapa kthesës gjatë tërë kohës”, theksoi ministri suedez i financave, Anders Borg.

“Neve na nevojitet të shohim më shumë aftësi drejtuese”, tha ai duke folur për “një nevojë të qartë për rikapitalizimin e bankave”.

Gati dy muaj pas dëmtimit të marrëveshjes për një paketë të dytë ndihmëse për Greqinë, Finlanda po vazhdon të këmbëngulë në zbatimin e këtij plani duke u kërkuar shteteve të tjera hua të reja-kërkesë që thuhet se ka vështirësuar negociatat.
Në ndërkohë, qeveria greke duhet ende t’i bind huadhënësit ndërkombëtarë se ka bërë mjaft për të justifikuar lëshimin e një pjese tjetër të ndihmës.

Një zyrtar evropian, i paautorizuar të flasë publikisht, tha se ministrat “duket të mos jenë në gjendje të arrijnë ndonjë vendim operacional”. I vetmi lajm pozitiv thuhet të ketë qenë arritja e një marrëveshjeje mbi ligje të reja me të cilat do të shtrëngoheshin rregullat për euro-n.

Takimi i së shtunës përfundoi në orët e mesditës duke u dhënë mundësi ministrave të largohen para nisjes së një demonstrate në Vroklav lidhur me masat e ashpra financiare në Evropë.

Por, kontributi i Gejtnerit vazhdoi të jehonte edhe pas largimit të tij të premten. Edhe pse nuk u diskutua në detaje, ideja e tij për rritjen e fondit ndihmës prej rreth 440 miliardë eurosh përmes kapitalit të huazuar-siç kishte vepruar SHBA në disa programe në vitin 2008, nxiti një debat gjatë të cilit nuk u arrit ndonjë pajtim.

Disa shtete evropiane e vlerësojnë një taksë të tillë për transaksione financiare si mundësi për t’i dhënë fund krizës përmes kontributeve në sektorin financiar, mirëpo disa vende të tjera kundërshtojnë këtë opsion.

Pas komenteve të Gejtnerit, ministri belg i financave, Didier Rejnders, u bëri thirrje evropianëve që të vazhdojnë përpjekjet.

“Jam i sigurt se, nëse është e mundshme në nivelin botëror, do të na duhet të organizojmë këtë edhe në BE dhe të paktën në euro-zonë, por natyrisht me një taksë më të ulët se sa në nivelin botëror”, u shpreh ai.

Borg përjashtoi mundësinë e pjesëmarrjes suedeze.

“Ne kemi një përvojë substanciale në Suedi. Në fakt, pjesa më e madhe e derivateve tona shkonin për në Londër me të cilën zhvilluam kryesisht lidhjet tregtare gjatë viteve në të cilat kishim një taksë mbi transaksionet financiare. Andaj, nëse nuk gjeni një zgjidhje që është universale, ka gjasa të dëmtohen tregjet evropiane”, tha ai.(e.p.)
XS
SM
MD
LG