Ndërlidhjet

Cërvenkovski akuzon Guevskin për emër


Ilustrim
Ilustrim
Afrimi i datës për publikimin e raportit të progresit për Maqedoninë që pritet të rikonfirmojë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE, por, jo edhe caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë ka shtuar kritika në adresë të qeverisë, e cila, sipas opozitës por edhe grupeve të ndryshme të intelektualëve vazhdon të apostrofohet si pengesa kryesore për integrimin e vendit në BE.

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate dhe ish-president i vendit, Branko Cërvenkovski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë i është përgjigjur thirrjeve të kryeministrit Nikolla Gruevski për “unitet rreth vijave të kuqe për çështjen e emrit”, duke thënë se pikërisht kreu i VMRO-DPMNE-së është ai që punon kundër këtij uniteti të proklamuar nga ana e tij.

Nëse Gruevski pret që të jemi unik, që t'i japim mbështetje për politikën e cila udhëhiqet nga procese të motivuara dhe të montuara politike, apo nëse mundon se duhet të arrihet uniteti përmes proceseve të hakmarrjes ndaj kundërshtarëve politike siç është rasti me arrestimin e Lube Boshkovskin dhe shumë raste tjera të keqpërdorimit të pushtetit, ne për një gjë të tillë jo vetëm që nuk jemi të gatshëm, por atë do ta luftojmë me ashpërsinë më të madhe”, u shpreh Cërvenkovski.

Ai shtoi se opozita çdoherë ka treguar konstruktivitet rreth kontestit që pengon procesin e integrimit të vendit dhe fjalën e fundit për këtë duhet ta thotë Gruevski që ka në duar të gjithë pushtetin në Maqedoni.

Sa i përket çështjes së emrit, kontestit me Greqinë, në dorën tonë të konstruktivitetit dhe me këtë krijimin e unitetit në shtet e kemi dhënë shumë kohë më parë, atëherë kur kumtuan qëndrimin se LSDM do të mbështes çdo zgjidhje që do të jetë e pranueshme për Gruevskin dhe pushtetit dhe e cila nuk do të prek çështjen e identitetit, të gjuhës dhe kulturës. Ne madje kemi dhënë mbështetje edhe për referendumin duke i mundësuar Gruevskit që t’i ketë në dispozicion të gjithë elementët e nevojshëm për ta çuar Maqedoninë drejt NATO-së dhe BE-së”, u shpreh Cërvenkovski.

Nga ana tjetër përshpejtimi i procesit të integrimit është kërkuar edhe nga intelektualët shqiptarë të cilët kanë formuar, Grupin XXI, që synon zhbllokimin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Mendojmë se është koha e fundit që të themi publikisht se qytetarët e Maqedonisë, në këtë rast shqiptarët kërkojnë nga partitë politike që të realizojnë premtimet parazgjedhore që i kanë dhënë në vazhdimësi se interes i tyre i veçantë i tyre do të jetë integrimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike”, u shpreh Mahi Nesimi, ish diplomat.

Ai tha se shqiptarët i kuptojnë ndjenjat e bashkëkombësve të tyre maqedonas, por ata nuk mund të lejojnë që integrimi i tyre në BE të jetë peng i kontestit rreth emrit pasi sipas tij, Maqedonia edhe ashtu tani 20 vite në botë njihet me shkurtesën IRJM.

Ndjenjat dhe dëshirat e kujtdoqoftë nuk mund të bëhen pengesë e realizimit të dëshirave të të tjerëve. Emri i shtetit në të cilin jetojmë nuk është Maqedoni, por FYROM dhe ne dëshirojmë që ky emër të zëvendësohet me emrin për të cilin do të gjendet kompromis mes dy shteteve të përfshira në këtë kontest”, deklaroi Nesimi.

Ndryshe përkundër pritjeve ende nuk ka asnjë iniciativë për uljen e palëve në një tavolinë për bisedime serioze, madje edhe ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic, ka bërë të ditur se nuk do të paraqesë propozime të reja pasi të gjithë nismat e deritanishme nga ana e tij kanë përfunduar pas sukses.
XS
SM
MD
LG