Ndërlidhjet

Kundër barrikadave


Barrikadat në veri
Barrikadat në veri
Përderisa intervenimi i parë në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë është bërë vetëm me vendimin e Qeverisë së Kosovës, intervenimi i dytë më 16 shtator, ka qenë i menduar mirë, është zhvilluar në mënyrë të përbashkët me EULEX-in dhe KFOR-in, si dhe ka marrë miratimin e Bashkësisë Ndërkombëtare, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës qendrore.

Politikanja serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, njëherazi edhe deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, vlerëson se me vënien e kontrollit institucional në vendkalimet kufitare në veri të vendit i është këputur rruga në masën më të madhe kontrabandës dhe kriminalitetit.

Unë mendoj se më të palumturit janë qarqet e caktuara në Prishtinë, në Beograd, si dhe në veriun e Kosovës, për shkak se po tentohet që gjendja të vendoset nën kontrollin e asaj që nënkuptohet si përkujdesje e mekanizmave të kontrollit institucional edhe në atë pjesë të hapësirës së Kosovës. Kriminaliteti vërtet ka qenë i madh dhe para të shumta janë derdhur në xhepat privat, jo të njerëzve të thjeshtë, por të njerëzve që janë të pozicionuar mirë në Prishtinë, Beograd dhe në veri të Kosovës. Të gjithë ata tash janë të shqetësuar, por populli meriton qetësinë”, thotë Trajkoviq.

Edhe politikani serb Rangjel Nojkiq, vlerëson se kontrabandës dhe kriminalitetit i është prerë rruga.

Sipas tij, kontrabanda në vendkalimet kufitare në veri, nuk i ka konvenuar as Beogradit zyrtar dhe siç thotë ai, mbyllja e syve përballë këtij fakti, Beogradit po i kthehet si bumerang politik.

Çështjes së kontrabandës më duket se i është vënë pika, për shkak se do të ndërpritet me siguri. Mendoj se ky është vendim që është dashur të merret më herët.
Çështjes së kontrabandës më duket se i është vënë pika, për shkak se do të ndërpritet me siguri. Mendoj se ky është vendim që është dashur të merret më herët. Sikur kjo të ishte bërë më herët dhe Beogradi të reagonte me kohë, atëherë Prishtina nuk do të kishte arsyetim për aksione të këtilla. Çdo adut se aksionet po bëhen për të ndërprerë kontrabanda do të ishte i pamundur dhe qesharak. Mendoj se çështja e ndalimit të kontrabandës është zgjidhur. Ndoshta jo në mënyrën më të mirë, por ajo është zgjidhur”, shprehet Nojkiq.

Ai megjithatë e sheh ende mjaft konfuze çështjen e marrëveshjes për vulat e Kosovës, për shkak se, sipas tij, ende nuk janë bërë transparente detajet e marrëveshjes nga Brukseli, duke ju lënë hapësirë Beogradit dhe Prishtinës që t’i interpretojnë sipas kutit të tyre. Kjo, sipas tij, krijon huti te njerëzit, të cilët pastaj edhe reagojnë.

Ndryshe, Rada Trajkoviq, thotë se ngjarjet në veri të Kosovës dhe këmbëngulja e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe NATO-s për të vendosur kontroll institucional, kanë dëshmuar se të ashtuquajturit “roje të urave” dhe nami i tyre si mbrojtës të serbëve të Kosovës, realisht nuk janë të tillë.

Ajo thekson se pavarësisht tensioneve të cilat i kanë përcjellë ngjarjet e fundit në veriun e Kosovës, është dëshmuar një vetëpërmbajtje dhe tolerancë nga të gjitha palët.

Sipas saj, serbët lokalë kanë toleruar telat gjemborë të KFOR-it, e ky i fundit ka toleruar pengesat dhe barrikadat e vendosura nga serbët.

Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka qenë e përmbajtur nga kjo gjendje e krijuar. Trajkoviq, u bën thirrje serbëve lokalë në veri të Kosovës, që të heqin dorë nga barrikadimi, duke thënë se kjo është vetizolim i serbëve.

Më vjen keq që në veri nuk ka lider të guximshëm, që të thotë se qëllimi kryesor dhe përfundimi më i mirë i gjithë kësaj është mbetja e serbëve në Kosovë. Të mos kthehemi që të përsërisim literaturën nga koha e Millosheviqit, ku më me qejf shkonim për të qarë viktimat dhe fatkeqësisht u shkaktonim viktima edhe të tjerëve, se sa të pranojmë këtë realitet të padrejtë".

Më vjen keq që në veri nuk ka lider të guximshëm, që të thotë se qëllimi kryesor dhe përfundimi më i mirë i gjithë kësaj është mbetja e serbëve në Kosovë.
"Unë nuk mund të them se pavarësia e Kosovës është realitet i drejtë, por ajo është realitet. Brenda këtij realiteti them se duhet t’i ofrohen pranimit të institucioneve, sepse askush tjetër nuk do të vijë në Leposaviq që të jetojë. Përsëri këto institucione do të jenë ato në të cilat do të qeverisin serbët. Kështu do të ishte edhe në Zveçan, në veriun e Mitrovicës, në Zubin Potok. Këto institucione, të cilat do të legalizoheshin, përsëri do të ishin institucione serbe”, thekson Trajkoviq.

Ndërkaq, Nojkiq, thekson se barrikadat, të cilat i kanë venë serbët për të bllokuar rrugët në veri, nuk do t’iu sjellin asgjë të mirë serbëve lokalë.

Mendoj se barrikadat nuk sjellin asgjë. Ato vetëm për një kohë të shkurtë i shtyjnë zgjidhjet. Zgjidhja do të gjendet me siguri shpejt ose në një të ardhme të shpejtë, në raundet e ardhshme të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kështu që, kjo mënyrë vetëm i shtynë zgjidhjet. Në një mënyrë barrikadat paraqesin një qëndresë të caktuar, por e cila nuk jep zgjidhje në shtigje të gjata. Megjithëkëtë, problemet do të zgjidhen në tavolinë të bisedimeve dhe barrikadat janë vetëm shtyrje e kohës”, shprehet Nojkiq.
XS
SM
MD
LG