Ndërlidhjet


Është çështje ditësh kur Qeveria e Kosovës do të rikthejë masat e reciprocitetit ndaj produkteve serbe, thotë Mimoza Kusari- Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Ajo thotë se nëse Serbia nuk zbaton marrëveshjen e arritur në Bruksel më 2 shtator në mes Prishtinës dhe Beogradit, për njohjen e vulave Doganore, që nënkupton lejimin e hyrjes së mallrave kosovare në territorin e saj, ekzekutivi vendit do të rikthejë masat reciproke.

Për bllokadën që Serbia po vazhdon ta aplikojë për mallrat kosovare, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari - Lila, thotë se Qeveria e Kosovës me anë të një shkrese do të njoftojë ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Rubert Kuper dhe palët tjera të përfshira në bisedimet Prishtinë – Beograd, ku edhe është arritur marrëveshja.

Do ta njoftojmë zëvendës ndërmjetësin e BE-se Rubert Kuper, zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Filip Riker, gjithashtu vendet e Kuint-it në Prishtinë dhe shtetet e Bashkimit Evropian, për mos zbatimin e marrëveshjes nga pala serbe”, shprehet Kusari – Lila.

Dhe pas marrjes së ndonjë përgjigjeje nga autoritetet ndërkombëtare, qeveria do të ndalojë prapë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë, thotë Kusari- Lila.

Po flasim për një periudhë të shkurtë kohore, nëse nuk shohim ndonjë vullnet të Serbisë në ditët vijuese, është çështje kohësh kur Kosova e kthen prapa reciprocitetin. Nuk po flasim për periudha të gjata kohore, flasim për çështje ditësh”, thekson ajo.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës të hënën ka marrë edhe përkrahjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

Në anën tjetër, Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, se edhe gjatë ditës së hënë asnjë mall komercial nga Kosova nuk ka kaluar në Serbi, ndërsa nga shteti serb në territorin e Kosovës, vazhdojnë të hyjnë dërgesa të ndryshme.

Që nga heqja e masave të reciprocitetit nga Serbia, deri në orët e vona të mbrëmjes janë futur mbi 150 kamionë, kurse deri në përfundim të ditës së sotme [të hënën], ne presim që ky numër të arrijë deri në 200 apo mbi 200 dërgesa të ndryshme nga Serbia. Sa i përket eksportit, nuk kemi pasur tentime tjera për eksport”, bën të ditur Stavileci.

Sidoqoftë, menjëherë pas zbatimit të marrëveshjes nga pala kosovare, disa kompani vendore kanë tentuar të hyjnë në territorin e Serbisë, por janë kthyer mbrapa nga autoritetet serbe, me arsyetimin, siç është thënë, që dokumentacioni i tyre nuk është i pranueshëm për ta.

Por, kompani tjera vendore tashmë janë duke u përgatitur që të bëjnë përpjekje që produktet e tyre t’i eksportojnë në Serbi.

Shani Mullabazi, nga Vreshtaria dhe Veraria “ Stone Castle” në Rahovec, thotë se gjatë kësaj jave do të nisin dërgesën e parë për në Serbi.

Po megjithatë, ne do të provojmë këtë javë të realizojmë dërgesën, edhe pse dyshojmë se do të kemi sukses në këtë.
Ne kemi qenë të kujdesshëm dhe kemi pritur se çfarë po ndodh edhe me të tjerët, sepse dokumentacioni ynë është pak më kompleks. Po megjithatë, ne do të provojmë këtë javë të realizojmë dërgesën, edhe pse dyshojmë se do të kemi sukses në këtë”, shprehet Mullabazi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, më 20 korrik ka vendosur masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që janë ndërprerë të premten më 16 shtator.

Por, Serbia në fund të vitit 2008 ka bllokuar mallrat kosovare, për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.

Mallrat me këtë vulë dhe dokumentet tjera përcjellëse në të cilat paraqiten elemente të shtetësisë së Republikës së Kosovës, nuk po lejohen as transit të kalojnë në këtë shtet, edhe pas arritjes se marrëveshjes në mes Prishtinës dhe Beogradit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG