Ndërlidhjet

Çitaku përsërit kërkesën për marrëdhënie kontraktuale me BE-në


Ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku, ka përsëritur kërkesën e Prishtinës zyrtare për themelimin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian, njoftoi ministria për integrime.

Gjatë vizitës së saj në Bruksel, Çitaku thuhet të jetë takuar me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle dhe Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerimin, Pier Mirel.

Temat qendrore të takimeve thuhet të kenë qenë çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, progresi dhe sfidat në kuadër të Raportit të Progresit për vitin 2011 dhe zgjatja e masave autonome tregtare për bizneset kosovare.

“Ne gjithashtu diskutuam nevojën për qasje më të mirë në tregjet evropiane për bizneset kosovare përmes zgjatjes së masave autonome tregtare. Unë poashtu përsërita kërkesën tonë për marrëdhënie kontraktuale me BE-në datën më të hershme të mundshme", citohet të ketë thënë Çitaku pas takimeve me zyrtarët evropianë.

Ndërkohë, një mision i ekspertëve evropianë që po qëndronte, deri në javën e kaluar, në Kosovë për të parë për së afërmi zbatimin e procesit të riatdhesimit dhe ri-integrimit të personave të riatdhesuar-kritere kyçe për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim vizash, mësohet ta ketë përfunduar tashmë viziten në vend.
XS
SM
MD
LG