Ndërlidhjet

logo-print

Ende nuk kanë arritur notat verbale nga Gaboni dhe Nigeria, pavarësisht se zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka thënë se këto dy shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Pacolli, rreth një javë më parë, ka theksuar se shteti i Gabonit e ka njohur Kosovën më 9 shtator, ndërkaq, sipas tij, shteti i Nigerisë këtë e ka bërë më 12 shtator dhe se notat verbale që konfirmojnë këto njohje do t’i dërgohen Kosovës rreth një javë nga datat e cekura.

Por, Artan Behrami, këshilltar politik i ministrit të jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në këtë ministri ende nuk kanë arritur notat verbale që e bëjnë formale njohjen e Kosovës nga Gaboni dhe Nigeria.

Krejt çfarë mund të konfirmoj unë është që deri më sot nuk kemi marrë ndonjë notë verbale.
Ju e dini që zoti Pacolli ka qenë i përfshirë personalisht në këto dy shtete (lidhur me njohjet për Kosovën). Krejt çfarë mund të konfirmoj unë është që deri më sot nuk kemi marrë ndonjë notë verbale. Por, kjo ka ndodhë edhe në të kaluarën, do të thotë, kur kemi marrë njohjet, ndërsa notën verbale e kemi pranuar pas një kohe, më vonë”, shprehet Behrami.

Edhe Arbër Geci, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behxhet Pacolli, thekson se vonesa të arritjes së notave verbale pas njohjes së Kosovës nga shtete të caktuara, ka pasur edhe më parë.

Sipas tij, zoti Pacolli i ka konfirmuar njohjet nga Gaboni dhe Nigeria, siç thotë ai, në momentin që ato kanë ndodhur. Ai thotë se ka arsye për vonesën e notës verbale.

Ne kemi konfirmimin e presidentit të Gabonit se kjo notë verbale ekziston dhe është vetëm çështje e procedurave deri sa ajo notë verbale të dërgohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Në rastin konkret, sa i përket Republikës së Gabonit, njohja(nota verbale) është vonuar për faktin se Ministri i Punëve të Jashtme i këtij vendi gjendet në Nju Jork, ku po zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ka mbetur përgjegjësi e tij, për ta formalizuar notën verbale. Ne kemi konfirmimin e presidentit të Gabonit se kjo notë verbale ekziston dhe është vetëm çështje e procedurave deri sa ajo notë verbale të dërgohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës”, sqaron Geci.

Geci thotë se ngjashëm është situata edhe me njohjen nga Nigeria.

Sa i përket Nigerisë, ne kemi marrë konfirmim nga Ministri i Punëve të Jashtme të këtij vendi. Zoti Pacolli ka pasur edhe një vizitë, para dy ditësh, në kryeqytetin e e Nigerisë, në Abugja, ku është takuar me përfaqësuesit më të lartë të këtij shteti dhe i është rikonfirmuar se njohja nga Nigeria është evidente dhe se gjithçka do të procedohet në momentin dhe kohën e duhur”, thotë ai.

Në anën tjetër, Lutfi Haziri, deputet nga radhët e partisë më të madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mungesa e notave verbale nga Gaboni dhe Nigeria, përderisa thuhet se ato kanë njohur Kosovën, e vërteton konstatimin e kohë më parë të kësaj partie, se politika e jashtme të Kosovës është në konfuzion total.

Sipas tij, organet kushtetuese që merren me politikë të jashtme janë presidenca, kryeministri i Kosovës dhe diplomacia parlamentare që njihet përmes Komisionit për Politikë të Jashtme.

Ndërtimi i një zyre të zëvendëskryeministrit, i cili në këtë rast po merret edhe me politikë të jashtme, ka shkaktuar konfuzion në shumicën e rasteve.
Delegimi i kësaj të drejte në kabinete, zakonisht shkon në Ministrinë e Jashtme. Ndërtimi i një zyre të zëvendëskryeministrit, i cili në këtë rast po merret edhe me politikë të jashtme, ka shkaktuar konfuzion në shumicën e rasteve. Duke dashur që të vrapojë për marrjen e meritave mbi njohjet e mundshme që Kosovës i vijnë në periudha të caktuara, po shkakton jo vetëm mungesën, shpeshherë, të konfirmimit zyrtar përmes notës verbale apo vendimeve të autoriteteve shtetërore, por edhe mundësinë që diplomacia serbe t’i pengojë apo të ndërhyjë në realizimin e këtyre”, shprehet Haziri.

Ndryshe, deputeti Haziri, gjithashtu ka shprehur mendimin se kryeministri i Kosovës duhet të ndërhyjë për të koordinuar dhe ndarë punët më mirë, në mënyrë që ofensiva diplomatike e Kosovës të mos përshkallëzohet drejt vrapimit pas meritave.

Sidoqoftë, në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme të Kosovës figuron se deri më tash, numri i vendeve që kanë njohur shtetin e Kosovës edhe përmes notave verbale mbetet në 81.

Shteti i fundit që ka njohur zyrtarisht Kosovën ishte ai i Santa Lucias, më 19 gusht të këtij viti.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG