Ndërlidhjet

S & P ul vlerësimin për Italinë


Agjencia e vlerësimit Standard & Poor’s (S & P) ka ulur vlerësimin për kreditë italiane nga niveli A+ në nivelin A, gjë që vlerësohet si pengesë e radhës për euro-zonën në kohën kur ajo po merret me krizën e borxheve në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë S & P tha se vlerësimi për Italinë do të mund të zvogëlohej edhe më tej, meqë e ardhmja e vendit, sipas kësaj agjencie, duket “negative”.

Deklarata bëri të ditur se S & P bëson që Italia ka një “perspektivë të dobët për rritje ekonomike”.

S & P theksoi se “koalicioni i brishtë qeverisës” dhe dallimet ndërmjet ligjvënësve do të mund të vazhdonin të kufizojnë mundësinë që shteti t’i përgjigjet si duhet ndryshimeve ekonomike në euro-zonë.

Deklarata flet gjithashtu për një përqindje të ulët të punësimit, një sektor publik joefiçient dhe investime të huaja modeste si arsye për pengimin e zhvillimit ekonomik të Italisë.

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, tha se vendimi i S & P-së për të ulur vlerësimin për Italinë “nuk pasqyron realitetin” dhe se duket të jetë “i mjegulluar nga vlerësimet politike”

Stoqet italiane shënuan një rënie gjatë ditës pas publikimit të raportit.
XS
SM
MD
LG