Ndërlidhjet

EULEX-i shqyrton vendimin e Kushtetueses


EULEX-i është duke e shqyrtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka interpretuar Kushtetutën në rastin e imunitetit për deputetët në Kuvendin e Kosovës, duke vlerësuar se “deputetët nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre.

“EULEX-i po e shqyrton vendimin e Gjykatës dhe EULEX-i vëren se vendimi nuk bëhet efektiv derisa nuk publikohet në gazetën zyrtare”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i EULEX-it, Hans Kristian Klasing.

I pyetur nëse EULEX-i do të zbatojë urdhër-arrestin në rastin e deputetit Limaj, i lëshuar para disa muajsh, zëdhënësi Klasing tha se për një gjë të tillë njëherë për njëherë misioni evropian nuk jep komente.

Çështja e imunitetit ka arritur deri tek Gjykata Kushtetuese, për shkak të urdhër arrestit qe EULEX ka ngritur kundër deputetit, Fatmir Limaj.

Zotin Limaj dhe nëntë persona të tjerë, aktakuza e konfirmuar tashmë, i ngarkon për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, që supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosurve të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) e cila ndodhej në fshatin Kleçkë.

Avokati i deputetit Limaj, Tomë Gashi tha se tani para EULEX-it mbesin dy opsione:

“Pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, pas nxjerrjes së vendimit, i cili është bërë me kërkesën e Qeverisë së Kosovës, EULEX-i i ka dy mundësi: që të heqë dorë nga urdhër-arresti që është lëshuar më mars të këtij viti për z Fatmir Limaj; dhe e dyta që ta implementojë atë fletarrestim, respektivisht që ta tentojë ta arrestojë atë. Përndryshe, vendimi tani është pezull dhe i mbetet prokurorëve, gjyqtarëve të EULEX-it se si do ta vlerësojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili është nxjerrë sot”, i tha Radios Evropa e Lirë, avokati Tomë Gashi.
XS
SM
MD
LG