Ndërlidhjet

Bregu Perëndimor, tubime në përkrahje të shtetësisë


Mijëra njerëz janë mbledhur në Bregun Perëndimor, në mbështetje të kërkesës palestineze për t'iu bashkuar Kombeve të Bashkuara, si shteti i 194-të anëtar.

Tubimi ka nisur në Ramallah, ndërsa të tilla pritet të ketë edhe në Nablus, Hebron dhe Betlehem.

Në Nju Jork, presidenti amerikan, Barak Obama, pritet të takojë presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli duan që palestinezët ta tërheqin kërkesën e tyre dhe të bëjnë përpjekje për rinisjen e negociatave të drejtpërdrejta izraelito-palestineze.

Abas pritet të paraqesë kërkesën e tij të premten më 23 shtator, kur edhe do t'i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm rus, Mikhail Bogdanov, ka thënë se Rusia do ta mbështesë kërkesën palestineze.
XS
SM
MD
LG