Ndërlidhjet

Gashi merr premtime nga Bosnja për eksportin kosovar


Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Ibrahim Gashi, ndodhet për vizitë jozyrtare në Bosnjë.

Qëllimi i kësaj vizite, e cila është realizuar me ndihmën e ambasadorit të Shqipërisë në Sarajevë, Flamur Gashi, thuhet të jetë lobimi për njohje të dokumenteve të Kosovës, çfarë do të mundësonte respektimin e masave reciproke tregtare ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës.

Gjatë qëndrimit dyditor në Sarajevë, Gashi është takuar me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Bosnjë e Hercegovinës. Pas takimit me kryetarin e Odës Ekonomike të Bosnjës, Jago Llashiq, Gashi, në emër të Qeverisë së Kosovës, ka falënderuar presidencën boshnjake për pranimin e vulave doganore të Kosovës.

“Ky është një përparim dhe kusht i mirë për vazhdimin e bashkëpunimit”, ka thënë ai, për të shtuar se “problem mbetet mosnjohja e dokumenteve kosovare", çfarë, sipas tij, vështirëson punën e shoferëve që eksportojnë mallra në Bosnjë.

“Jemi takuar me zyrtarë të lartë dhe kemi diskutuar këtë çështje. Konsiderojmë se do të gjendet zgjidhje. Shkëmbimi i mallrave është në favor të ekonomisë suaj”, tha Gashi.

Llashiq ka premtuar se do të kërkojë nga autoritetet e Bosnjë e Hercegovinës të pranojnë dokumentet zyrtare të Republikës së Kosovës.

“Shresoj që bashkëpunimi ynë në të ardhmen të jetë edhe më i mirë, por për ta forcuar këtë bashkëpunim, ne, si odë ekonomike, do të kërkojmë heqjen sa më parë të barrierave në tregti, lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve ndërmjet nesh dhe Kosovës”, ka thënë Llashiq.
XS
SM
MD
LG