Ndërlidhjet

logo-print

Edhe 18 muaj për liberalizimin e vizave?


Pasaporta e Kosovës

Pasaporta e Kosovës


Kosova shpreson që nga fundi i vitit të përfshihet në bisedime me Bashkimin Evropian për liberalizimin e vizave.

Në mungesë të një udhërrëfyesi nga Brukseli, Qeveria e Kosovës ka adoptuar vetë një udhërrëfyes të tillë, në mënyrë që të jetë sa më e përgatitur për këtë proces.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri pret që vlerësimi nga Brukseli për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave kësaj radhe të jetë pozitiv.

Megjithatë mungesa e konsensusit në BE për pavarësinë e Kosovës për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet anëtare sërish mund të diktoj nevojën e krijimit të mekanizmave të veçantë krahasuar me vendet tjera.


Për dallim nga viti i kaluar i cili ka rekomanduar negativisht kësaj here presim që të jetë një vlerësim real, të jetë një vlerësim së paku pozitiv dhe Kosova të përfitojë më vonë me vendim të Këshillit të Ministrave udhërrëfyesin dhe Kosova të përfitojë në këtë proces i cili në të vërtetë është i domosdoshëm, sepse 2 milionë banorë të Kosovës kanë mbetur totalisht të izoluar”, thotë Haziri.

Aktualisht Kosova nuk ka filluar ende bisedimet zyrtare me BE-në. Gjatë këtij muaji, një delegacion nga Brukseli ka qëndruar në Kosovë për të parë nga afër ndërtimin e kapaciteteve, miratimin dhe zbatimin e ligjeve, pastaj strukturave adekuate që kanë të bëjnë me riatdhesimit, ri-integrimit, menaxhimin e integruar të kufijve dhe çështje tjera teknike.

Analisti Shenoll Muharremi, thotë se e gjithë puna që deri tash kanë bërë institucionet e Kosovës ka qenë e njëanshme, pasi që negociatat me BE-në nuk kanë nisur ende.

Fatkeqësisht Bashkimi Evropian edhe pse ka premtuar në vjeshtën e vitit 2009 që do e filloj procesin e liberalizimit të vizave, dialogimin dhe t’ia japë Kosovës udhërrëfyesin, një gjë të tillë nuk e ka bërë ende. Andaj, Kosova unilaterisht ka ndërmarrë disa hapa që e kanë avancuar atë në këtë proces. Kështu që kur të fillon dialogimi, unë mendoj që ka mundësi teorike që rruga e Kosovës të jetë më e shkurtë sesa e vendeve tjera”, thotë Muharremi.

Analisti Shenoll Muharremi thotë se Kosova duke adoptuar njëanshëm udhërrëfyesin e saj për vizat, ka dashur që të ketë një rrugë më të shkurtë sesa vendet tjera, te të cilat bisedimet me BE-në kanë zgjatur deri në 18 muaj.

Në vendet tjera nga fillimi, dita kur e kanë marrë udhërrëfyesin, procesi ka zgjatë përafërsisht 18 muaj. Proces ky i ndërmarrjes së reformave, zbatimit të tyre e deri te vlerësimi nga Komisioni i cili më pas ka dhënë mendimin se këto vende janë të gatshme. Është vështirë të paragjykohet se sa do të zgjas ky proces për Kosovën, por me rëndësi është që të fillojë ky dialog dhe që Kosova të fokusohet në zbatimin e këtyre kritereve të gatshme”, thekson Muharremi.

Krahas çështjeve teknike një impuls shtesë procesit të liberalizimit, besohet se i ka dhënë edhe vendosja e kontrollit të kufirit në veri.

Me këto masa, janë përmbushur disa nga kriteret e BE-së për menaxhimin e kufirit, luftimin e kontrabandës dhe trafiqeve me qeniet njerëzore, thotë Lutfi Haziri.

KFOR-i e ka vendosur një regjim sado që është i kufizuar ushtarak, por një kontroll të kufirit tani ekziston dhe kjo është ajo që është kërkuar vazhdimisht. Kosova i ka përmbushur kriteret dhe duke pas parasysh se në mesin e tetorit do të lëshohet pasaporta e parë biometrike. Pra, një numër i madh i detyrave është realizuar njëanshëm, përkundër që Kosova nuk ka pasur udhërrëfyesin”, thekson Hazirin.

Zbatimi i ligjit për riatdhesim dhe ri-integrim, bashkë me menaxhimin e integruar të kufijve, sigurinë e dokumenteve personale dhe pasaporta biometrike, janë disa nga parakushtet bazë që Kosova duhet t’i plotësojë për t’u përfshi në zonën e lëvizjes së lirë pa viza.

Sipas autoriteteve kosovare këto kushte tashmë janë plotësuar apo do të plotësohen deri në fund të vitit.

Por, i mbetet Brukselit të vendosë se çfarë do të bëjë me 2 milionë kosovarët, do t’ua liberalizojë edhe atyre vizat apo do të vazhdojë me masat strikte siç po veprohet aktualisht.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG